Berisha: Asnjë kallëzim penal i opozitës në SPAK nuk është bërë pa prova

Kryedemokrati Sali Berisha ka vijuar edhe sot sulmet kundrejt mazhorancës për vjedhje votash në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që u mbajtën më 11 maj.
Berisha ka hedhur poshtë deklararat e artikuluara pak më herët nga Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani se kallëzimet e depozituara nga subjektet politike për shit-blerje votash kanë qenë të pashoqëruara me prova. Berisha ka deklaruar se të gjitha kallëzimet penale të bëra nga opozita kanë pasur prova zyrtare të pakundërshtueshme.
“Të garantoj se asnjë kallëzim, asnjë kallëzim të vetëm penal, opozita nuk ka bërë pa provat zyrtare të pakundërshtueshme.
I kam denoncuar dhe do i denoncoj dosjet në të cilat, dokumente prokurorë bashkëpunëtor të Altin Troplinit, nëpërmjet Daupaj, asaj oficeres së BKH-së që u arratis në ambasadën tonë në Vjenë. U arratis nga Shqipëria dhe përfundoi në ambasadën tonë në Vjenë. Erjona Daupaj, e cila në regjistrime thotë se; prokurori kërkoi 70 mijë euro, se nuk ra dakord me 50 mijë euro. Të gjitha i ka, por ky nuk i cilëson prova këto.
Se Altin Troplini i çuan prova ato që i interesojnë, jo ato të cilat shkojnë në drejtimin që nuk don Edi Rama. Ndaj dhe një gënjeshtar të paciptë si ai, nuk duhet besuar në asnjë fjalë. Një bashkëpunëtor me krimin me këto që bën”, deklaroi Berisha.
Kreu i SPAK tha gjatë takimit me gazetarët se kallëzimet për shitblerje votash për zgjedhjet e 11 majit, kanë qenë të pashoqëruara me prova.
“Nga procedimet në hetim 10 procedime penale të iniciuara nga SPAK, dhe tjerat nga policia, qytetarët, vetëm 4 nga partitë politike. Nga të gjitha rastet nuk kemi marrë parasysh kujt partie i takojnë. Tipologjia e kallëzimeve nga partive për të cilat është marr vendimi për mos fillim:
– Punësime në kundërshtim me ligjin;
– Përdorim i administratës publike;
– Shitblerja e votës ( kanë qenë të pa shoqëruara me prova)”, deklaroi Dumani.
/rtsh.al/