E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikanët kosovarë homazhe Ibrahim Rugovës

Me rastin e shënimit të përvjetorit të tretë të pavarësisë së Kosovës, liderë institucionalë dhe ata politikë kanë nderuar presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, duke u përkulur para varrit të tij dhe gjithashtu duke vizituar edhe familjen e tij. Kryeministri në largim Hashim Thaçi, pas nderimit që ka bërë te varri edhe njëherë u ka uruar të gjithë qytetarëve të Kosovës trevjetorin e shpalljes së Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran. Thaçi ka shtuar se sot kur po ndërtohet shteti i Kosovës, kur po konsolidohet dhe forcohet në të gjitha aspektet në atë të sigurisë, të ekonomisë, gjithashtu edhe në aspektin diplomatik, ku është njohur nga 75 shtete, ka një rrugë të sigurt të integrimit euro-atlantik. Ai ka shtuar se sot, kur shënohet trevjetori e pavarësisë, kujtohet e kaluara jonë krenare, familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës, gjithë luftëtarët e lirisë dhe merita e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, ai ka shprehur mirënjohje dhe respekt për gjithë botën ndërkombëtare demokratike për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të rendit demokratik. Pas homazheve, kryeministri Thaçi ka vizituar edhe familjen Rugova, ku është pritur nga të gjithë anëtarët. Sot, nderime presidentit Rugova i ka bërë edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Një nderim figurës së Rugovës i ka bërë edhe lideri i Aleancës për Kosovë të Re, dhe njëherë i propozuari për President të ardhshëm të Kosovës, Behgjet Pacolli. Ai ka shtuar se kontributi i presidentit Rugova është i papërshkrueshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›