Konkurs për logon “100 vjet Shtet Shqiptar”
Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë ka shpallur konkurs kombëtar për realizimin e logos "100 vjet shtet shqiptar".
Në konkurs kanë të drejtë pjesëmarrjeje artistët shqiptarë, studiot grafike dhe subjektet (por jo edhe nxënësit dhe studentët), duke paraqitur deri në pesë punime origjinale, të papublikuara. Autori mban përgjegjësi ligjore për autenticitetin e tyre.
Logoja, me mbishkrimin "100 vjet Shtet Shqiptar", duhet të jetë shprehje artistike figurative dhe grafike.
Ngjyrat kryesore në konceptimin e kësaj logoje për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë duhet të jenë ngjyra e kuqe dhe ngjyra e zezë, ndonëse ato mund të kombinohen edhe me ngjyra tjera.
Punimet duhet të dorëzohen në Galerinë Kombëtare të Arteve deri më 27 dhjetor 2011, ndërkaq juria do të shpallë fituesin më 29 dhjetor. Logoja fituese bëhet pronë e fondit të GKA’së.