E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulaj sërish nderohet me çmim të OKB’së

Artisti shqiptar, Agim Sulaj, nderohet për herë të dytë me një çmim të Kombeve të Bashkuara.

Sulaj u radhit në mesin e 13 fituesve të çmimit të karikaturës Ranan Lurie, që organizohet nga UNCA (Shoqata e Artistëve Korrespondentë të Kombeve të Bashkuara).

Sulaj është njëri nga 10 artistët me kombësi të ndryshme që u përzgjodhën për vlerësim me Çmimin e Ekselencës, falë karikaturave që kanë botuar në shtypin ditor dhe temë e të cilave ishin shqetësimet dhe zhvillimet politike.

Tre çmimet e para u janë ndarë artistëvr Clay Bennett, Rick McKee dhe David Pope. Karikatura e Sulajt iu dedikohet fëmijëve të Afrikës, vuajtjeve të tyre për ujë, bukë, jetë. Në të shfaqet një shishe plastike uji me dhëmbë të një krokodili, derisa qëndron mbi një fëmijë afrikan.

“Është një çmim mjaft i rëndësishëm për krijimtarinë time. Aq më tepër që shënon vlerësimin e dytë nga OKB’ja”, thotë Sulaj, i cili ka vite që jeton dhe krijon në Itali. Karikaturat e Sulajt janë vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›