Kim Jong Il-Studenti dembel që u bë diktator

Gjatë gjithë jetës së tij, Kim Jong Il, ka udhëtuar pothuajse vetëm me tren. Thuhej se ai kishte frikë nga fluturimi, i besonte vetëm binarëve dhe drejtuesit të tij privat të trenit. Në vagonin e tij të blinduar ai zhvillonte vizitat shtetërore dhe inspektonte perandorinë e tij (siç bëri edhe të shtunën, kur edhe e pësoi sulmin në zemër).
Në ditën kur ka lindur, kështu së paku thotë legjenda, në qiell ishin shfaqur dy ylberë. Historianët kanë theksuar se Kimi i vogël lindi në vitin 1942, në malin e shenjtë Paektu. E vërteta është se “kryesuesi i dashur dhe i biri i përjetshëm i Diellit” kishte lindur një vit më herët në Sibir, ku i ati i tij jetoi për një kohë në mërgim, por ky variant i zbukuruar i shërbente më mirë ushqimit të kultit të personit të familjes Kim.
Udhëheqësi 161 centimetra i gjatë për një kohë të gjatë ka kryesuar “Boshtin e së keqes”, siç e pati pagëzuar presidenti amerikan, George Bush, grupin e shteteve me qëndrim armiqësor ndaj SHBA-së.
Nga të gjitha spekulimet dhe fshehtësitë e zbuluara, të cilat kanë dalë nga shteti i tij i izoluar, ngadalë ka filluar të kompletohet mozaiku i njeriut, i cili dukej si një njeri, i cili nuk ka qenë kurrë i baraspeshuar.
Pothuajse një figurë qesharake në krye të një regjimi brutal stalinist, i cili zhyti vendin e tij në uri, duke shpenzuar njëkohësisht me miliona dollarë për prodhim të armatimit.
Për një kohë të gjatë Kim Jong Il nga analistët është cilësuar si delja e zezë e familjes, para se të shndërrohej në njërin prej njerëzve më të fuqishëm në botë. Ai konsiderohej si një student dembel, si një trashaluq, të cilin askush nuk e merrte seriozisht.
Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes: si shef i njësive speciale thuhet se ai qysh i ri ka qenë përgjegjës për aktivitetet ndërkombëtare terroriste, përfshirë këtu edhe për sulmin kundër një aeroplani të udhëtarëve të Koresë së Jugut në vitin 1986, me ç’rast humbën jetën 115 udhëtarë.
Flitet se ai ka adhuruar konjakun dhe femrat, ushqimin e mirë dhe përderisa populli i tij po vdiste nga uria, ai jetonte në luks.
Njëri nga ish-shefat e kuzhinës në shtëpinë Kim, i cili në ndërkohë është arratisur në Japoni, ka folur për udhëtimet e tij jashtë vendit, me urdhrin e Kimit: ai kishte shkuar për të blerë kaviar në Iran apo Uzbekistan, është dërguar në Kinë për të blerë shalqi dhe rrush.
Nga Italia madje ai kishte “importuar” edhe një kuzhinier ekspert për pica dhe atë përkundër vërejtjes së tërhequr nga OKB-ja në tetor, se rreth gjashtë milionë njerëz janë të kërcënuar nga uria në Korenë e Veriut.
Por edhe përkundër gjithë varfërisë, Kim Jong Ilit nuk i mungonte asgjë: ai kishte fusha të golfit, garazhin e mbushur me makina luksoze dhe së paku dhjetë pallate, me shërbëtorë të panumërt. Pasuria e tij gjendet në bankat zvicerane. Atje u shkolluan edhe fëmijët e tij-nënkuptohet, inkognito.
Disa nga thashethemet më të tmerrshme për diktatorin e vogël burojnë nga dezertorët, të cilët arratisën nga Koreja e Veriut në Korenë e Jugut. Një ish-truproje e tij, Lee Young Guk, e ka përshkruar atë si një njeri të tmerrshëm dhe të çmendur. “Ai insistonte në atë që ne të gjithë duhej të ishim të gatshëm të vdesim për të”.
Ndoshta është e mundur që “udhëheqësi i adhuruar” ka qenë një aktor i mrekullueshëm, i cili është fshehur prapa maskës të të çmendurit iracional, për të mbajtur botën të frikësuar.
Kim Jong Il nuk është konsideruar i çmendur nga të gjithë. Ish-ministri i Jashtëm kinez, Tang Jiaxuan, e kishte cilësuar si tejet të kthjellët, e madje edhe ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madleine Albright, kishte theksuar se ai është tejet i informuar, i vendosur, praktik dhe serioz.
Kim Jong Il nuk e mori përsipër menjëherë pushtetin pas vdekjes së të atit, Kim Il Sung, në vitin 1994. Në të vërtetë, ai as që ishte paraparë si pasardhës, siç nuk ishte paraparë fillimisht as djali i tij më i ri, Kim Jong Un për pasardhës të tij.
Historia po përsëritet: sikur edhe tani, edhe atëbotë në botën e jashtme ka pasur vetëm spekulime në lidhje me pasardhësin e Kim Il Sungut. Atëbotë, vëzhguesit e Koresë së Veriut ishin të mendimit se vëllai i ri i Kim Jong Ilit, Kim Jong Ju, do të jetë pasardhës i Kim Il Sungut. Megjithatë, në vitin 1997 Kim Jong Il u emëruar kryesues i Partisë së Punës.
Edhe në atë kohë qarkullonin shumë spekulime: Flitej se Kim Jong Il me gjasë kishte shkaktuar vdekjen e të atit, për të sabotuar politikën e tij të afrimit me Korenë e Jugut.
Por shumë spekulime nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Megjithatë, jo-zyrtarisht dihej se Kim Jong Il kishte tashmë disa vjet që ishte i sëmurë. Në maj të vitit 2009 u bë publik edhe emri i pasardhësit të tij: Kim Jong Un, djali i tij më i vogël. Mosha e tij mbetet fshehtësi. Supozohet se ai ka 27, 28 apo 29 vjet. Një kohë të gjatë të rinisë së tij e ka kaluar në Zvicër, ku ka jetuar në ambasadën e Koresë së Veriut dhe ka ndjekur mësimet në Internatin Ndërkombëtar në Bernë, ku ka qenë i regjistruar me emrin Pak Chol. Thuhet se e flet gjuhën angleze dhe atë gjermane.
Koreja e Veriut shkrepë një raketë
Vetëm disa orë pas kumtimit të lajmit për vdekjen e Kim Jong Ilit, duket se Koreja e Veriut ka shkrepur një raketë me rreze të shkurtë veprimi.
Siç njoftoi agjencia jug-koreane e lajmeve, Yonhap, duke cituar një përfaqësues anonim të qeverisë në Seul, raketa me gjasë është testuar dhe se nuk ka pasur ndonjë lidhje mes këtij testi dhe lajmit për vdekjen e Kim Jong Ilit.
Megjithatë, Koreja e Jugut ka vendosur forcat e veta të armatosura në gjendje të gatishmërisë, e edhe SHBA-ja dhe Franca kanë theksuar se po vëzhgojnë nga afër shtjellimin e situatës.
Video