Konkursi i Gjuhës Shqipe në fazën e tretë, Osmani: Risitë e këtij viti kartolina e librit dhe debati

Nxënësit e arsimit para universitar i janë nënshtruar nga muaji janar konkursit kombëtar të gjuhës shqipe. Shkollat kanë konkurruar ndërmjet tyre duke bërë kualifikimet e nevojshme për të mbërritur në fazën e tretë të garës.
Zv. Ministrja e Arsimit, Orjana Osmani, ka sqaruar se nxënësit janë vlerësuar deri më tani për njohuritë e tyre gjuhësore, për diskutimin rreth një temë të caktuar, si dhe për aftësinë e tyre në hartimin e një projekti, por këtë vit nuk do të mungojnë edhe risitë siç janë kartolina e librit por edhe rubrika e debatit.
“Ne kemi dhënë 7 tituj nga veprave ikonë të letërsisë për fëmijë nga letërsia shqiptare dhe ajo botërore dhe nxënësit gjatë përgatitjes së tyre kanë përfunduar leximin e këtyre veprave. Kjo është një ndër ato rubrika që nxit kënaqësi ndaj të lëxuarit por edhe në funksion të konkursit të gjuhës shqipe dhe një pjesë e pyetjeve do të jetë nga kartolina e librit”, u shpreh Osmani.
Gjysmë finalet do të nisin me 7 mars në ditën e mësuesit dhe do të vijojnë çdo fundjavë përgjatë këtij muaji për të kulmuar në finale e madhe më 12 prill. Garat ndërmjet skuadrave të shkollave fituese do të mund ti ndiqni në valët e Radio Televizionit Shqiptar.
Konkursit të gjuhës shqipe për shkollat 9- vjeçare synon jo vetëm vlerësimin e njohurive në gjuhën shqipe, por edhe në kultivimin e një brezi të ri të përkushtuar ndaj trashëgimisë së tyre kulturore.
/rtsh.al/