E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkursi i Piktures Bashkekohore per moshat 18-35 vjec

Vetëm pikturë dhe vetëm artistë shqiptarë pavarësisht ku jetojnë. Konkursi i Pikturës Bashkëkohore për moshat 18-35 vjeç po shkon drejt finales së 30 shtatorit në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Piktori Artan Shabani që e ka ndarë jetën mes Italisë dhe Shqipërisë, i parë së fundmi i angazhuar në fushatën zgjedhore pro të majtës, në bashkëpunim me emra të njohur të botës së artit vizual, po sjell me këtë konkurs përpjekjen për një skenë konkurruese të arteve pamore me mbështetjen e donatorëve privatë.
Juria me pedagogun e filozofisë Elvis Hoxha dhe kuratorin milanez Ivan Quaroni, mbetet që të zgjedhë 3 fitues nga 26 finalistët, ndër 150 konkurrentë pjesëmarrës në gjini dhe teknika të ndryshme, pikturë, vaj, akrilik, tempera, po edhe vizatim.

Duke ardhur nga shkolla arti dhe nga realitete social-kulturore të ndryshme nga i Shqipërisë, bashkë ata ballafaqojnë përvoja që skenës së këtushme të arteve pamore i mungojnë si një komunikim i vazhdueshëm dhe i pandërprerë me publikun dhe me zhvillimet e artit shqiptar në këto vite.

Galeria Kombëtare e Arteve e ka rrudhur dukshëm komunikimin me artin e sotëm vendas. Kujtojmë se prej disa vitesh nuk ekziston më manifestimi fotografik “Marubi”, ndërsa Konkursi Ndërkombëtar “Onufri” e ka deformuar natyrën dhe qëllimin e tij.
Përkrah sallës ku ka zënë vend koleksioni i Henry Moore-it, ekspozita e 30 shtatorit mund të shfaqet si shenjë për një axhendë të gjallë të artit bashkëkohor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›