E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi i vendit kandidat mund te merret ne dhjetor

Bashkëpunimi në parlament, reformat dhe forcimi i shtetit ligjor, janë elementët që Presidenti i Këshillit Evropian Herman Van Rompui, pret nga mazhoranca e re politike në Shqipëri. Në deklaratën pas takimit me kryeministrin Edi Rama, Van Rompui, tha se statusi i vendit kandidat është i mundshëm për Shqipërinë.
"Kryeministri Rama theksoi se integrimi evropian për vendin është një prioritet kyç dhe imediat. Rama na sqaroi për çështjet ekonomike si dhe sfidat për sundimin e ligjit. Ne kemi parë me vëmendje reformat kyçe për 12 muajt e kaluar, është e rëndësishme për Shqipërinë që të konsolidojë këtë progres. Qeveria duhet të vazhdojë të ndërtojë këto arritje dhe të sigurojë një dialog gjithëpërfshirës me opozitën. Progresi varet tërësisht mbi arritjet e këtyre reformave. Konfirmoj mbështetjen time për përpjekjet e qeverise shqiptare në rrugën e integrimit. Statusi kandidat po vjen gjithnjë e me afër. Nuk ka dyshim që e ardhmja e Shqipërisë është brenda BE dhe ju inkurajoj të vazhdoni në këtë drejtim”- deklaroi Van Rompuy.

Kryeministri Rama pohoi rëndësinë e reformave dhe tha se programi i qeverisë është ai i bashkëpunimit, me synim integrimin europian të Shqipërisë.

“U ndjeva i privilegjuar për të ndarë me Presidentin Van Rompui axhendën e koalicionit tonë, që është një axghendë europiane. Garantoj presidentin se shpirti konstruktiv që u vu re në diskutimin e parë në Parlament do të jenë akoma më i fuqishëm dhe nën drejtimin e ri të parlamentit të gjitha partitë do të kenë hapësirat dhe mundësitë për tu shprehur dhe nën rregulla të reja proceduriale, të aprovuara me konsensus”- deklaroi Rama.

Apelit të Presidenti i Këshillit Evropian që Shqipëria të vijojë rolin e saj konstruktiv për paqen në rajon, kryeministri Edi Rama iu përgjigj, duke thënë se Tirana zyrtare do të punojë ngushtë me qeveritë e Kosovës, Serbisë dhe vendeve të tjera fqinje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›