Konsolidimi i shtetit

Ambasadori italian në Prishtinë, Michael Giffoni, thotë se në Kosovë ka shumë të arritura gjatë vitit të dytë të pavarësisë, por thekson se hapat e parë në projektin e decentralizimit si dhe anëtarësimi i shtetit të ri në institucionet më të mëdha financiare janë të arriturat që duhet veçuar.
Ai vlerëson se ky është progresi më i madh konsolidimit të Republikës së Kosovës, gjatë vitit të dytë të pavarësisë. “Këto janë dy të arriturat më të mëdha, por natyrisht se ka një numër të madh të të arriturave tjera. Por, gjithashtu, mbetet mjaft për t’u bërë në aspektin e konsolidimit të mirëfilltët të institucioneve”, ka thënë Ambasadori Giffoni, në një intervistë për Express.
“Duhet ta kuptojmë se ky shtet po bën përpjekje për progres dhe zhvillim ekonomik dhe social në një kontekst ndërkombëtar shumë të vështirë. Nuk e kam fjalën për legjitimitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, por krizën globale ekonomike me të cikël po përballet tërë bota gjatë dy viteve të fundit”, ka theksuar ai.
Diplomati italian vlerëson se anëtarësimi në FMN dhe Bankën Botërore, përveç që ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës, ka pasur edhe rëndësi politike sepse shumë shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës kanë votuar në favor të shtetit të ri.
“Kjo vërtet hap rrugën për progres të vërtetë ekonomik. Por kjo duhet të përkthehet në politika të vërteta financiare dhe ekonomike. Kjo duhet të ndiqet me masa konkrete nga Qeveria dhe institucionet financiare”, ka thënë ai.
Giffoni thotë se Raporti i Progresit i Komisionit Europian ka qenë mjaft i qartë për sfidat dhe masat konkrete që duhet të adresohen në shumë fusha dhe sektorë nga institucionet vendore. Ai përmend sistemin e drejtësisë që në Raportin e Progresit konsiderohet si një prej pikave më të dobëta të shtetit të ri, por edhe sundimin e ligjit.
“Qeveria duhet t’i shohë këto si prioritete. Të koncentrohemi në këto sfida që janë përmendur në Raportin e Progresit”, ka thënë Ambasadori Giffoni.
Ai thotë se institucionet dhe tërë klasa politike vendore me ndihmën e ndërkombëtarëve duhet të bëjnë çmos që në raportin e ardhshëm të progresit të tregohet se është arritur një trend pozitiv në këtë shtet. “Nuk po them se duhet të arrihen të gjitha sepse kjo nuk është lehtë, por qëllimi kryesor është të tregohet se ka trend pozitiv dhe se ky është i qëndrueshëm”.
Ambasadori italian është edhe Lehtësues dhe Koordinator i kompenetëve të ndryshëm të Bashkimit Europian për pjesën veriore të Kosovës. Atje tashmë është hapur “Shtëpia e BE’së ku përfaqësues të organizatave evropiane do të veprojnë bashkërisht. Qëllimet parësore për këtë nismë të diplomacisë evropiane është shtimi i pranisë së BE’së në Veri, dhe promovimin e vlerave dhe vizionit evropian.
“Përfaqësuesit evropian do të bëjnë përpjekje për depolitizimin e shumë problemeve në pjesën veriore, sepse konsiderojnë se kjo është mënyra më e mirë për zgjidhjen e tyre”, thotë Ambasadori Giffoni.
Lidhur me këtë, ai përmend rindërtimin e shtëpive në Suhadoll.
Përfaqësuesi i BE’së thotë se ka pasur takime të shumta me pjesëtarë serbë të shoqërisë civile në Veri, por edhe në Prishtinë, me studentë dhe të rinj serbë, të cilat i vlerëson të dobishme. “Kam parë shenja të mëdha për dialog”, thotë ai.
Për Strategjinë për Veriun e Kosovës, Ambasadori Giffoni thotë se ky dokument nuk është i BE’së sepse nuk është hartuar nga institucione të Bashkimit Europian.
Megjithëkëtë, planet e BE’së për forcim të rolit në Veri në disa raste mund të korrespondojnë me Strategjinë e hartuar nga Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare.
“BE tashmë ka bërë të qartë nevojën për forcimin e rolit, pranisë dhe kredibilitetit në pjesën veriore të Kosovës. Nëse këto veprime përputhen me disa aspekte të strategjisë, ky nuk është problem”, thotë Giffoni.
Numri një i Qeverisë Italiane në Kosovë vlerëson marrëdhëniet bilaterale mes Romës dhe Prishtinës janë mjaft pozitive. “Përveç marrëdhënieve politike miqësore, ka edhe mjaft raporte ekonomike dhe komerciale. Afaristët italianë po vijnë në Kosovë, por duhet të kemi parasysh krizën ekonomike që ka prekur biznesin italian”.
Ai bëri të ditur se Kosova dhe Italia janë duke negociuar shumë marrëveshje dypalëshe që do të nënshkruhen shumë shpejt. Kështu, muajin e ardhshëm pritet nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëpunim lidhur me çështje të drejtësisë.