E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthim në Indi

Udhëheqësit nacionalistë hindusë kanë kërkuar sot anulimin e negociatave të reja paqësore mes Indisë dhe Pakistanit, pas shpërthimit që ndodhi në perëndim të Indisë, me ç’rast humbën jetën nëntë persona dhe u lënduan 57 të tjerë.

Shpërthimi i cili ndodhi të shtunën, i shkaktuar nga një bombë e fshehur në një valixhe, ishte sulmi i parë i madh terrorist në Indi, që nga masakra në qytetin e Mumbait, në vitin 2008.

Bomba shpërtheu në një furrë gjermane në qytetin Pune, rreth 200 km në juglindje të Mumbait.

Pas shpërthimit, autoritetet indiane shtuan masat e sigurisë nëpër aeroporte, stacione të trenit dhe tregjet anembanë Indisë.

Udhëheqësit nacionalistë hindusë për këtë sulm fajësuan Pakistanin dhe kërkuan nga qeveria që të anulojë negociatat paqësore, të cilat është paraparë të zhvillohen këtë javë, të parat që nga sulmet në Mumbai.

“Iniciativa e Indisë për të zhvilluar bisedime paqësore me Pakistanin është një aventurë e vërtetë”, tha Arun Jaitley, zyrtar i lartë në radhët e partisë opozitare BJP.

Ministri i Jashtëm i Indisë, S.M Krishna, theksoi se do të prêt raportin e ekspertëve të forenzikës, para se të komentojë kërkesën e opozitës për anulimin e negociatave.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›