E Diel, 1 Nëntor 2026

Konstituohet Komisioni për “Zgjedhoren”, Gjiknuri: Të bëjmë një reformë reale brenda 2026, të adresohen rekomandimet e ODIHR-it

Konstituohet Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore, që bashkëdrejtohet nga Damian Gjiknuri (PS) dhe Oerd Bylykbashi (PD), të cilët kanë të drejtë vetoje.

Bashkëkryetari socialist, Damian Gjiknuri, deklaroi se komisioni synon të realizojë një reformë zgjedhore të plotë dhe konsensuale, duke adresuar rekomandimet e ODIHR-it që datojnë që nga viti 2015.

“Shpresojmë të bëjmë një reformë reale, të plotë, konsensuale. Puna e këtij komisioni edhe të traditës të krijuar të jetë bashkëpunuese me gjetjen e zgjidhjeve për zgjedhje më të mira, të adresohen rekomandimet të ODIHR-it, janë disa rekomandime që nga viti 2015. Problemet që i përkasin kodit zgjedhor, fushatës zgjedhore, financimit të fushatës zgjedhore do të trajtohen nga ky komision. Duhet krijuar një ligji i ri lidhur me financimet e partive e kërkuar edhe nga BE, transparenca e financimeve të partive politike. Ligji për zgjedhjet është ligj politik dhe kërkohet mirëkuptim, tolerancë dhe të gjenden konsensuset mes palëve. Do ngremë grupin teknik të ekspertëve ku dy do propozohen nga njëri bashkëkryetar dhe dy nga tjetrit që do ketë detyrë në përpilimin e drafteve dhe bashkëpunimin me ekspertët ndërkombëtar për rekomandimet e ODIHR-it. Pas kësaj mbledhjet do i drejtohemi ODIHR-it dhe Venecias për të vënë në dispozicion sa më shpejt ekspertizën që të bëjmë një reformë të plotë zgjedhore”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri tha se ky komision duhet të punojë që deri në mes të vitit 2026 të kemi një reformë të plotë dhe t’i lihet kohë institucioneve për zgjedhjet vendore

“Të kemi një ligj zgjedhor të reformuar deri në mesin e vitit tjetër që t’i jepet kohë institucionet qoftë për zgjedhjet vendore, apo për të përgjithshme që të kemi bazë të mirë solide ligjore më të përmirësuar dhe me standarde më të mira dhe me rregulla të pranuar nga të gjithë”, tha Gjiknuri.

Gajtë seancës së sotme pritet të ngrihet një grup teknik prej katër ekspertësh, dy të propozuar nga PD dhe dy nga PS, të cilët do të punojnë në përpilimin e draftëve dhe në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtarë për zbatimin e rekomandimeve. Pas këtij hapit, komisioni do të kërkojë mbështetje të mëtejshme nga ODIHR dhe Komisioni i Venecias për ekspertizën e nevojshme.

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore përbëhet nga 16 anëtarë, mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, dhe nga 1 për PSD dhe Agron Shehajn, ndërsa mundësi për të dhënë propozime do të kenë edhe partitë e reja të Kuvendit të dala nga zgjedhjet e 11 majit 2025, “Shqipëria bëhet” dhe “Lëvizja Bashkë”, por nuk do të kenë të drejtë vote.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›