Mocion me debat në seancën e 18 dhjetorit për masat kundër krimit të organizuar

TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, ku u shqyrtuan disa çështje kyçe të rendit parlamentar.
Në fokus të pikës së parë dhe të dytë ishin projektprogrami i punës së Kuvendit për periudhën 1-26 dhjetor 2025 dhe projektkalendarit të punimeve për 1-19 dhjetor 2025.
Pas diskutimeve mes grupeve parlamentare, mungesa e mirëkuptimit bëri që të dy dokumentet t’i kalojnë vendimmarrjes së seancës plenare.
Konferenca miratoi më pas kërkesën e kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Punësimit dhe Financave për ngritjen e nënkomisionit “Për Auditimin e Sektorit Publik”, i cili do të funksionojë pranë këtij komisioni.
Në vijim, u shqyrtua kërkesa e një grupi deputetësh të PD-së për zhvillimin e mocionit me debat mbi masat qeveritare kundër krimit të organizuar.
Diskutimet u shoqëruan me debate nga opozita.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi akuzoi shumicën se ka futur “në mënyrë të paligjshme” në kalendar tetë ligje të paketës fiskale, duke lënë vetëm 24 orë kohë për shqyrtim.
Ai e cilësoi këtë si “shkelje të Kushtetutës” dhe paralajmëroi se çështja do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërsa, deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi kërkoi zhvillimin e mocionit me debat për luftën kundër krimit të organizuar.
Ai deklaroi se, siguria e jetës së qytetarëve është në nivele alarmante dhe debati në Kuvend është domosdoshmëri.
Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve me mirëkuptim vendosi që mocioni me debat të zhvillohet në seancën plenare të datës 18 dhjetor dhe koha e debatit do të jetë 120 minuta
Konferenca e Kryetarëve, foto: Andrin Hoxha 1 nga 7/gj.m/j.p/r.e/