Konsulli i nderit i Shqipërisë në Atlanta merr Medaljen e Artë të Kongresit Amerikan
Ambasador Theodore Britton, i pari konsull nderi afro-amerikan i një vendi ballkanik, nderohet me Medaljen e Artë të Kongresit, për kontributin e tij si një nga pionierët afro-amerikanë që shërbyen në Marinën Amerikane, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ceremoninë e përshëndeti edhe senatorja Kay Hagan
Ambasadori Theodore Britton, njëherazi konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në Atlanta të shtetit të Georgias (U.S. state of Georgia), është nderuar nga Kongresi dhe Senati amerikan me Medaljen e Artë, për shërbimin në Marinën Amerikane. Përmes një ligji të ri, SHBA nderon të gjithë marinsat afro - amerikanë, të cilët u bënë pjesë e Flotës Detare Amerikane ndërmjet viteve 1942 – 1949 në “Monford Point Marines”. Për ambasadorin Britton ky është nderi më i lartë civil, për detyrën e tij si pjesë e marinsave të “Monford Point Marines” (shoqata e cila përkujton afro-amerikanët e parë të cilët shërbyen në Trupat e Marinës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës). Ambasadori Britton lindi në veri të qytetit Augusta dhe jetoi në “Blu Heaven”, për të cilën ai është shprehur gjithmonë se ishte një zonë e qytetit në pronësi të George Briggs. Në vitin 1942, presidenti Franklin Ruzvelt lëshoi një direktivë për t’u dhënë mundësinë njerëzve me ngjyrë që të rekrutohen në Marinën Amerikane. Britton ishte një nga 20 mijë marinsat me ngjyrë që ka marrë trajtimin bazë në shtabin e Marinës në “Montford Point”, ndërmjet viteve 1942 dhe 1949. “Ne nuk u dërguam aty ku ishin të gjithë të tjerët” - thotë Britton. Ndërsa shton: “Ne nuk shkuam në Parris Island apo San Diego”. Sipas asaj që shkruhet në ueb-sitin zyrtar të Monford Point Marines, qëllimi fillestar i Marinës ishte që pas Luftës së Dytë Botërore, të shkarkonte të gjithë hierarkinë e marinsave me ngjyrë, për t’ua lënë atë të bardhëve. Britton thotë se pas Luftës, numri i marinsave me ngjyrë në “Montford Point” ra në 1500, kjo për shkak se ata u zhgënjen nga ajo që ishte planifikuar. “Por, ata e kishin provuar veten e tyre gjatë luftës dhe Marina kishte nevojë për ta. Në Montford Point, ne nuk mund të shkonim në bazën qendrore të kampit, pa u shoqëruar nga një eskortë me të bardhë. Ishte dashur të ishte një eksperiment për ne atje. Kjo ishte një përvojë shumë poshtëruese” - thotë Britton. Ambasadori Theodore Britton thekson se kjo nuk do të jetë e vetmja medalje që dërgohet në Muzeun e Marinës, pasi të gjithë anëtarëve të mbijetuar të Montford Point Marines, do t’u lëshohet nga një kopje. “Kjo ka një domethënie të veçantë. Është një gjë shumë e rëndësishme. Medalja e Arit është për të përkujtuar punën e marinsave me ngjyrë. Ajo është që ne të pranojmë disa gjëra për të cilat na është dashur të durojmë”. Britton kaloi një pjesë të jetës së tij në Luftë, në pushtimin e Japonisë. Pas Luftës së Dytë Botërore, ambasadori Britton iu rikthye jetës civile. Në vitin 1950, ai u thërrit në detyrë për luftën e Koresë. Më pas, ai u rikthye përsëri në jetën civile. Sipas asaj që thuhet në biografinë e tij, Britton fitoi pension nga Departamenti Amerikan i Strehimit dhe Zhvillimit Urban, pas shërbimeve që kreu në pozicionet më të larta, përfshirë edhe detyrën e zv/ndihmës sekretarit për Kërkimin Shkencor dhe Teknologjinë. Më 1989, ai mori çmimin për “Shërbim të Dalluar”. Pas daljes në pension, Britton është nderuar me rezoluta nga këshilli i qytetit të Newark dhe Uashington, D.C. Si ambasador, ai shërbeu si shef i misionit në Barbados, dhe në shtetin e Grenadës gjatë viteve 1974 - 1977 me gradën e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqi plotë. Përveç kësaj, ai shërbeu edhe si përfaqësues i posaçëm i SHBA për shtetet Antigua, Dominica, St Christopher-Nevis-Anguilla, Shën Lucia dhe Shën Vincent. Ai u martua me një grua nga Jacksonville, Fla, dhe tani jeton në Atlanta. Z. Britton ka shërbyer dy herë në Korpusin e Marinës amerikane. Ai është anëtar i shoqatës së Montford Point Marines, i Divizionit të Dytë të Marinës si dhe i Shoqatës së Oficerëve të Zbulimit. Ambasador Britton ka qenë për disa vite ish-drejtor i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë. Ai është kryetar nderi i Universitetit “Kristal” në Tiranë, ku edhe ka marrë çmimin Doctor Honoris Causa. Së fundi, Britton është emëruar “Ambasador për Paqen” nga Fedarata Botërore e Paqes. Britton ka shërbyer në shumë misione, duke përfshirë edhe iniciativa për paqe në Lindjen e Mesme, në konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës. Studimet e larta ambasadori Britton i ka kryer në “New York University”, për Ekonomi dhe Financë. Ambasadori Theodore Britton është i pari afro – amerikan në historinë e Ballkanit që është nderuar konsull nderi i Shqipërisë në Atlanta.
...