E Diel, 1 Nëntor 2026

Konsumatorët 150 ankesa në ditë për mbifaturimin e energjisë elektrike

Gjirokastër / Qytetarët e Gjirokastrës vazhdojnë të depozitojnë ankesat e tyre pranë filialit lokal të ÇEZ, si shkak i mbifaturimit të energjisë elektrike për muajin shkurt. Sipas burimeve jozyrtare nga ÇEZ Gjirokastër, numri i ankesave të regjistruara nga qytetarët llogaritet në 150 të tilla çdo ditë. Shkak i këtij reagimi të konsumatorëve ka qenë shuma e faturuar nga ÇEZ për energjinë elektrike të konsumuar për muajin shkurt. Sipas konsumatorëve, në këto fatura nuk është pasqyruar sasia reale e energjisë së konsumuar brenda një muaji, por në mjaft raste ajo është tarifuar e trefishuar. “Mund të them me bindje se kjo është një vjedhje që po na bëhet. Unë në muajin janar kam paguar rreth 2 mijë lekë energji të konsumuar, ndërkohë që fatura e muajit shkurt më ka ardhur më një shumë prej 5 mijë lekësh” thotë L. Lake, banor i lagjes “11 Janari”, në Gjirokastër. Si ai janë me qindra konsumatorë që kanë shprehur ankesën e tyre për shumat për të cilat janë tarifuar në faturat e energjisë elektrike. “Ne ca na u rritën çmimet e produkteve të tjera, na tani edhe këto fatura me trefish më shumë lekë, atëherë ku do të mbytemi”, thotë një banor. “Ne nuk dimë ku të drejtohemi. Erdha këtu të zyrat e ÇEZ për të shprehur ankesën time, por e kotë, pasi nuk shpresoj se do të më bëjnë ndonjë gjë”, thotë C. Kelo, banor i Gjirokastrës. Ndërkohë, në lidhje me ankesat e konsumatorëve punonjësit e ÇEZ shpërndarjes në Gjirokastër kanë pohuar se ata nuk mund të sqarojnë konsumatorët, por kanë vetëm për detyrë të tërheqin ankesat e tyre. Bledar Shehu

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›