E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsumi: Çfarë duan shqiptarët



Albana MUÇAJ

Ndryshe nga dhjetë vite më parë, sot e keni shumë më të lehtë të blini produkte ushqimore që mbajnë markën e një prodhimi natyral apo bio. Janë shtuar pikat e shitjes me prodhime të tilla dhe ka rafte të veçanta në të gjitha supermarketet për produktet e shëndetshme. Kjo degë e biznesit të industrisë ushqimore po zhvillohet në vend, për shkak të ndryshimit të sjelljes së konsumatorëve, pavarësisht se shqiptarët kujtohen për një dietë të shëndetshme pasi u shfaqen problemet shëndetësore.
Ndërsa mungojnë studimet për sjelljen konsumatore, qëndrimet e ekspertëve të fushës së shëndetësisë e tregtisë japin tendencat për një përmirësim të dietës ushqimore. Konsumi i drithërave është ulur rreth 20% që prej fillimit të viteve ‘90, ndërsa ai i mishit është rritur më shumë se dy herë. Rritje e konsumit vërehet edhe për zarzavatet e frutat. Si dietologët edhe operatorët në treg tregojnë se është rritur vëmendja për atë çfarë konsumojnë edhe mes të rinjve. Sipas përfaqësuesve të kompanisë tregtare “Avex Ltd.”, vihet re gjithnjë e më shumë dëshira për të konsumuar produkte sa më natyrale dhe me vlera ushqyese.
Megjithatë pesha e konsumit të këtyre produkteve mbetet e ulët. Sipas përfaqësuesve të rrjeteve të shitjes me pakicë, blerjet nga raftet e produkteve të shëndetshme përbëjnë më pak se 4% të shitjeve totale.
Ekspertë të shëndetësisë vazhdojnë ta vlerësojnë si problematike dietën ushqimore shqiptare. Prof. Isuf Kalo, ekspert i Shëndetit Publik, tregon se trendet e sotme vazhdojnë të jenë ato të “kequshqyerjes së pabalancuar”. Sipas tij, ajo çfarë vërehet në tregun shqiptar është një agresion ushqimor, i ndikuar më së shumti nga oferta e shtuar në treg.
Treguesi kryesor i mbiushqyerjes, “mbipesha”, mbetet në nivele të larta, 23-25% të popullsisë në vend, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik. Popullsia mbi peshë rrezikon të shtohet nëse nuk do të ketë politika ushqimore-shëndetësore. Në vend mungojnë pothuajse tërësisht fushatat e ndërgjegjësimit për parandalimin e obezitetit. Me rritjen e çmimeve, për shkak të efektit krizë, dieta ushqimore e shqiptarëve rrezikon të përkeqësohet. Frutat, zarzavatet, peshku apo vaji i ullirit jo vetëm që kushtojnë më shtrenjtë, por kanë pësuar rritje çmimi së fundi. Sipas të dhënave në treg, krahasuar me një vit më parë, çmimet e frutave rezultojnë rreth 7% më të larta.

Si ka ndryshuar dieta…

Në një periudhë njëzetvjeçare, struktura e konsumit është përmirësuar, por sigurisht pa arritur në raportet e vendeve të zhvilluara. Dy treguesit më të rëndësishëm vlerësohen mishi dhe drithërat. Deri në fillimet e viteve ‘90, pjesa më e madhe e kalorive merreshin nga drithërat. Prof. Abdyl Sinani, ekspert në fushën e industrisë agroushqimore, tregon se struktura e konsumit është përmirësuar ndjeshëm. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, deri në fillimet e viteve ‘90, konsumohej vetëm 9 kilogramë mish për frymë në vit, ndërsa tani niveli i konsumit ka arritur në gati 20 kg/vit. Në të njëjtën kohë konsumi i drithërave është ulur nga 220 kg/vit/për frymë në 170 kg.
Si një pasqyrë apo reflektim i zhvillimit ekonomik në vend, struktura e konsumit në Shqipëri është e ngjashme me atë të vendeve në zhvillim. Kjo rezulton edhe nga niveli i konsumit të peshkut. Po të shohim të dhënat e INSTAT-it, pesha e shpenzimeve për peshkun është vetëm 1.4% të totalit të shpenzimeve të buxhetit familjar.

Pesha e disa prej produkteve të konsumit në buxhetin familjar

Bukë dhe drithëra 6%
Mish 8.9%
Peshk 1.4%
Fruta 3.5%
Burimi: INSTAT

Box 1
Çfarë thonë dietologët

Konsumatorët shqiptarë janë bërë më të ndërgjegjshëm për atë çfarë konsumojnë, pasi problemet e shëndetit janë më të mëdha. Dietologia Blerina Bombaj tregon se “shqiptarët fillojnë të kujdesen për konsumin vetëm atëherë kur përballen me problemin e shëndetit”. Shqetësimet më shpesh të hasura dhe më të dukshme janë mbipesha dhe yndyrat e larta në gjak. Sipas saj, në vend nuk ka një informacion të gjerë, veçanërisht në pjesën e popullsisë me nivel arsimimi nën mesataren. Për shkak të informacionit të mangët, zgjedhjet për konsum nuk janë aq të shëndetshme”.
Dieta ushqimore e Europës Perëndimore po akuzohet gjithnjë e më shumë si përgjegjëse për shqetësimet kardiovaskulare dhe “për fat të keq ajo është bërë pjesë e dietës shqiptare”, vlerëson dietologia Blerina Bombaj.
Në një ekuilibër ushqimor po ndikon edhe prirja e konsumit të ditës mesdhetare. “Në kuzhinën tonë po ndihen gjithnjë e më shumë ndikimet e kuzhinave të vendeve ku shqiptarët kanë emigruar dhe kryesisht të asaj italiane. Si një kuzhinë mesdhetare që është edhe një nga dietat më të shëndetshme apo ndikon pozitivisht në atë pjesë të shoqërisë që e zbaton”, shprehet dietologia Enkelejda Ferrollari.

Intervista
Flet dietologia Enkelejda Ferrollari

Si ka ndryshuar dieta ushqimore ndër vite? Ekspertë të fushës së shëndetësisë thonë se shqiptarët vazhdojnë të kequshqehen, por nga ana tjetër, ekspertë të industrisë ushqimore tregojnë luhatjen e dukshme të uljes së konsumit të drithërave dhe rritjes së konsumit të mishit? Ju si e vlerësoni?
Nëse i referohemi krahasimit të mënyrës së të ushqyerit të shqiptarëve para viteve '90 e pas '90-s ka ndryshim të madh. Kemi rritje të nivelit ekonomik dhe të mirëqenies, kemi një treg më të pasur, çka bën që të kemi më shumë mundësi për të pasur akses tek ushqime të ndryshme dhe të shumëllojshme. Por kjo nuk do të thotë që jemi të ushqyer më mirë, pasi njëkohësisht janë edhe disa faktorë të tjerë që ndikojnë negativisht në mënyrën e të ushqyerit, sikurse është rritja e ritmit të jetës e shoqëruar me orare të zgjatura pune, rritja e nivelit të stresit, mungesa e informacionit të duhur në lidhje me konsumin e ushqimeve etj. Të gjitha këto bëjnë që tashmë të vuajmë nga sindroma e një ushqimi të çrregullt dhe të pakontrolluar, që rezulton me kequshqyerje. Ne jemi një shoqëri që si traditë kemi kuzhinën ballkanike, e cila ndër të tjerat karakterizohet nga përdorimi në sasi të mëdha të yndyrave dhe kryesisht atyre shtazore. Jemi një popull që konsumojmë shumë mishin dhe më pak peshkun, por nuk mund të lëmë pa përmendur edhe zakonin pozitiv në lidhje me të ushqyerin, që është konsumi në sasi të konsiderueshme i zarzavateve.

Sa të vëmendshëm janë shqiptarët për konsumin, për kaloritë që marrin apo djegin?

Kemi shifra gjithnjë në rritje të obezitetit në vendin tonë, çka do të thotë që i kushtojmë pak vëmendje mënyrës së të ushqyerit dhe që po shkojmë gjithnjë e më shumë drejt një jete sedentare. Nëse krahasojmë vit pas viti numrin e automjeteve që qarkullojnë në Shqipëri e kemi në rritje, çka do të thotë që të gjithë tentojmë të përdorim automjetin për të lëvizur, megjithëse nuk karakterizohemi nga organizime qytetesh me sipërfaqe të mëdha, ku si rrjedhim edhe distancat e lëvizjeve janë të mëdha. Por mund të them që vitet e fundit ka filluar një ndërgjegjësim i njerëzve në lidhje me problemet e mbipeshës, pasi një pjesë e mirë e tyre kanë filluar të ndiejnë pasojat negative në shëndet, çka ul edhe cilësinë e jetës. Ky ndërgjegjësim po vjen në rritje dhe këtë e shoh gjithnjë e më shumë në numrin e madh të njerëzve që kërkojnë ndihmë për të zgjidhur problemin e peshës, duke rregulluar mënyrën e të ushqyerit.

Sa të rëndësishme janë të ardhurat familjare për një konsum të shëndetshëm?
Një faktor i rëndësishëm në lidhje me të ushqyerin janë edhe të ardhurat ekonomike. Ajo pjesë e popullsisë që ka të ardhura të mira ekonomike, ka më shumë mundësi që të ketë më shumë akses në produkte ushqimore me çmim të lartë, që janë kryesisht proteinat shtazore, mishi, peshku, djathërat e cilësive të ndryshme që shpeshherë janë edhe kalorike, sallame, proshuta etj., ose të produkteve të ndryshme industriale të përpunuara në formë të ëmbëlsirave apo edhe të kripura, ose në formë të pijeve të ndryshme etj. Pra kanë mundësi ekonomike që të kenë akses te të gjitha produktet ushqimore që ofron tregu. Por kjo nuk do të thotë që kjo shtresë e popullsisë që konsumon në sasi të mëdha produkte të tilla ushqehet shëndetshëm, pasi kalojmë në tejkalime dhe tepri proteinash dhe yndyrash shtazore, kalorish, e cila shoqërohet me obezitet dhe probleme të ndryshme patologjike. Nga ana tjetër kemi atë shtresë të shoqërisë që ka pak mundësi të ketë akses te të gjitha produktet ushqimore që ofron tregu dhe orientohen nga çmimi më i ulët, duke rrezikuar të konsumojnë sasi të mëdha të një lloj ushqimi (të atij që ka çmim më të ulët) e cila përsëri shoqërohet me obezitet, por njëkohësisht edhe me probleme të mungesës së përbërësve makro dhe mikroushqyes, të cilat sjellin pasoja patologjike në organizëm dhe sëmundje të ndryshme. Një mënyrë e rregullt të ngrëni do të ishte shumë e dobishme jo vetëm për cilësinë e jetës së individit, por do të ishte edhe kosto më e ulët për të gjithë shoqërinë. Pasi një shoqëri që ka tendenca në rritje të individëve me probleme patologjike bën që të kemi ulje të shoqërisë aktive për punë dhe rritje të kostos së shërbimeve shëndetësore.

Marrë nga revista Monitor

25 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›