E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedurat për përfitimin e pensionit mesatar si i përndjekur politik



Anilejda Shëmbitraku

Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore kanë hapur një rubrikë Pyetje- Përgjigje online, në faqen zyrtare të ISSH- s, në të cilën ju përgjigjen të gjithë atyre që kanë probleme apo dëshirojnë të informohen në lidhje me procedurat për përfitimin e pensioneve.

Ankimi
Dokumentet e dorëzuara nga qytetari pranë agjencisë së sigurimeve shoqërore, pasi pranohen, merren në shqyrtim nga zyra e pensioneve ku ato përpunohen dhe caktohet masa e pensionit. Në rast se qytetari nuk është dakord me ndonjë element të caktimit të pensionit siç është shuma e përgjithshme e vjetërsisë në punë, masa e pensionit etj. me të drejtën që i jep Ligji 7703, ankohet për vendimin e zyrës së pensioneve në Komisionin e Apelit të ngritur pranë Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Nëse merr përgjigje negative nga ky Komision ai ka të drejtë të ankohet pranë Komisionit Qendror të Apelit që është ngritur pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Ankesat e zgjidhura në mënyrë të pafavorshme bëhen në gjykate, nga e cila çështja zgjidhet përfundimisht.

Marrëveshja
Për të gjithë pensionistët që tërheqin pensionin në Postën – Shqiptare ekziston një Akt-Marrëveshje Nr.1261 Prot (ISSH), Nr.2823 Prot (Posta) dt.08.08.2003 e lidhur mes Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Postës sha, Shqiptarë me objekt “Për pagimin e përfitimeve nga Sigurimet Shoqërore”. Konkretisht në përmbajtjen e kësaj marrëveshje në paragrafin III është parashikuar se: “1. Kur pensionisti nuk ka mundësi të paraqitet në Zyrën Postare të Postës sha për të tërhequr pensionin: Pensionistit i dërgohet pensioni në shtëpi, sipas rregullave të caktuara nga Posta Shqiptarë. Pensionisti ka të drejtë të autorizojë një person tjetër me prokurë, në bazë të neneve 72 dhe 73 të Kodit Civil. Personi i autorizuar me prokurë për tërheqjen e pensionit paraqet në qendrat e pagesës këto dokumente: Librezën e pensionit të pensionistit; Prokurën e përfaqësimit; certifikatën me fotografi të personit të autorizuar për tërheqjen e pensionit. (Prokura e përfaqësimit dhe certifikata me fotografi mbahen nga qendra paguese).

Pyetja 1
Qytetari M.SH. i është drejtuar me kërkesë sigurimeve shoqërore për të përfituar pension pleqërie. Në dokumentet e paraqitura është edhe dokumenti i vuajtjes së dënimit me internim për motive politike. Mbi bazën e këtij dokumenti kërkon të përfitojë pension mesatar si i përndjekur politik. Periudha e vuajtjes së tij të dënimit është nga 7 – 14 vjeç.

Përgjigje
Në nenin nr. 5, të Ligjit nr. 7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” është përcaktuar që njihet e vlefshme për efekt vjetërsie në punë ose shërbimi koha e vuajtjes së dënimit me heqje të lirisë dhe me internim si dënim penal plotësues.
Në pikën nr. 2, të Udhëzimit nr. 2, datë 4.1.1992 “Për zbatimin e Ligjit nr. 7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” është parashikuar që personave të dënuar me heqje të lirisë, me internim ose dëbim për motive politike, iu jepet pension mesatar, kur nuk kanë mundësi ose nuk kanë interes të zgjedhin pagën mesatare. Në pikën 5, të Udhëzimit nr. 2, datë 4.1.1992, të Këshillit të Ministrave "Për zbatimin e Ligjit nr. 7514, datë 30.9.1991 "Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politike"", është përcaktuar që për të përfituar të drejtat që parashikon Ligji “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” në fushën e sigurimeve shoqërore, të interesuarit e pafajshëm duhet të paraqesin në organet e sigurimeve shoqërore të rrethit dokumentet përkatëse, ndër të cilat edhe vërtetimin për kohën e vuajtjes së dënimit me heqje të lirisë, për kohën e vuajtjes së dënimit me internim si dënim penal plotësues, për kohën e vuajtjes së dënimit si i internuar për shkaqe politike, si dhe për rastet e pushkatimit pa gjyq, etj. Ky vërtetim lëshohet nga Ministria e Rendit Publik, e cila bashkëpunon për këtë me Ministrinë e Drejtësisë. Më tej, në pikën 10, të Udhëzimit, të sipërcituar është përcaktuar që koha e internimit dhe dëbimit për motive politike nuk njihet vjetërsi pune para moshës 15 vjeç.Sa më sipër, periudha e vuajtjes së dënimit para moshës 15 vjeç nuk merret për bazë në llogaritjen e periudhës së sigurimit dhe për rrjedhojë edhe pensioni nuk mund të llogaritet në nivelin mesatar të pensionit për periudhën.

Pyetja 2
Qytetari A. R. është i ditëlindjes 20.12.1950. Ai ka një periudhë të përgjithshme sigurimi prej 36 vitesh e 1 muaj. Në datën 15.08.2010 ky qytetar ka paraqitur kërkesën të shoqëruar me të gjithë dokumentacionin përkatës, për të përfituar pension të plotë pleqërie, sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit pensioni i është caktuar duke filluar nga data 15.08.2010, ndërkohë që ai kërkon që të fillojë pagesa e pensionit nga data kur i ka lindur e drejta për pension.
Përgjigje
Sipas datëlindjes të qytetarit, mbështetur në nenin nr. 92, të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, e drejta për të përfituar pension të plotë pleqërie i ka lindur më datën 20.06.2009.
Në nenin 62, të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, është përcaktuar që e drejta e pensionit nuk parashkruhet. Pra pagesa e pensionit, nqs kërkesa bëhet jo më vonë se 1 vit nga data që lind kjo e drejtë, paguhet që nga data e mbushjes së kushteve për pension. Në raste të tjera pensioni do të paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës për përfitim.
Mbështetur sa më sipër, meqenëse qytetari e ka paraqitur kërkesën pasi ka kaluar një vit nga lindja e së drejtës, pagesa e pensionit ka filluar nga data e paraqitjes së kërkesës për përfitim.

25 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›