Konte: I vetmi gabim i imi, që pranova fajin!
Në një intervistë të gjatë për Gazzetta dello Sport, Antonio Konte ka folur për herë të parë rreth çështjes së manipulimit të ndeshjeve në periudhën kur ai drejtonte skuadrën e Sienës në Serinë B. Trajneri aktual i Juventusit ka pranuar se kishte gabuar në vendimin e tij për të pranuar fajin, pasi në fakt ai nuk kishte bërë asnjë gjë të gabuar.
Intervista
Ka një gjë të cilën nuk do ta bëja më po të kthehesha mbrapa: të pranoja kundër dëshirës fajin. Nuk pranohet faji kur je i pafajshëm, edhe pse avokatët ta këshillojnë ta bësh një gjë të tillë dhe rreziqet e procesit normal janë të mëdha. Ai ka qenë një gabim i madh, tha Konte duke lëshuar kështu një thumbim në adresë të Mikele Briamontes, avokat i Juventusit, pasi ka qenë ai e pati këshilluar ta bëjë një gjë të tillë. Sigurisht, nuk do të pranoja asgjë, por do të perceptohej diçka krejtësisht ndryshe. Prandaj them që edhe nëse do të kisha sot sigurinë e tre muajve pezullim, përsëri do të mohoja përfshirjen time. Jam dakord me gjykatësit që thanë se 90 ditë nuk janë një dënim i përshtatshëm për mua. Kanë të drejtë, në fakt dënimi për mua është 0 ditë pasi nuk kam bërë asgjë të paligjshme apo nuk kam bërë moskallëzim për diçka që nuk kam dijeni.
Sistemi i drejtësisë
Më pas, trajneri i Juventusit ka bërë të qartë që shqetësimet më të mëdha i vijnë nga mënyra se si është ndërtuar sistemi gjyqësor sportiv në Itali. Fenomeni i basteve në sport duhet zhdukur por nuk mund të skualifikosh një person në këtë mënyrë. Çdokush mund të çohet dhe të drejtojë gishtin ndaj çdokujt dhe ta dërgojë në thertore pa problem. Kam besim të gjyqtarët, më pak te ky sistem. Njerëzit duhet ta kuptojnë që një gjë e tillë mund ti ndodhë gjithkujt, tha trajneri që vazhdon të jetë pjesë e Juventusit, ndonëse ndaj tij ekziston një pezullim prej 10 muajsh nga çdo aktivitet futbollistik ndaj nuk mund të ulet në pankinë.
Merkatoja
Konte ka folur edhe për merkaton duke deklaruar se deri tani është i kënaqur nga puna e Xhuzepe Marrotës. Ai ka theksuar se pret edhe një blerje në sulm për të plotësuar repartin e avancuar. Në fund Konte ka theksuar se shpreson të jetë në stolin e Juves në ndeshjen e parë të kampionatit kundër Parmës, duke shprehur në këtë mënyrë i sigurtë që ai do të dalë i pafajshëm nga gjyqi që po zhvillohet.