E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontejnerografitë

Duken sikur janë bërë nga artistët, por, në të vërtetë, fotografitë janë shkrepur nga mbledhësit e bërllokut që një kontejner bërlloku e shndërruan në një camera obscura. Fotografitë arritën sukses botëror.

Projekti u iniciua nga një agjenci marketingu nga Berlini dhe nga ndërmarrja e pastrimit në Hamburg, me qëllim të promovimit të “djelmoshave në të portokalltë” – detyra e të cilëve, sado absurde që tingëllon, nuk vlerësohet aq shumë në Gjermani. Ata punojnë atë që për të tjerët është e neveritshme – pastrojnë sasi të mëdha të bërllokut kundërmues. Të njëjtit bërllok-mbledhës, për shkak të krijimeve të realizuara me ndihmën e bërllokut – përnjëherë u gjetën në qendër të vëmendjes së botës së artit. “Kontejnerografitë” e vlerësohen edhe në SHBA.

Art në vend të bërllokut

Në projekt morën pjesë 10 bërllok-mbledhës, që për bërjen e fotografive shndërruan një kontejner në ‘camera obscura’.

Pra, në anën e prapme të brendshme të kontejnerit, që ka një vëllim prej 1,100 litrash, ata përforcuan një letër të ndjeshme fotografike, dhe kontejnerin e drejtuan në atë mënyrë që drita, që në të hyn nga një zgavër në anën e përparme, të krijojë një fotografi. Natyrisht, kapaku i kontejnerit shërbente si njëlloj ndërprerësi.

Bërllok-mbledhësi, Hans-Peter Strahl, pranon se fillimisht nuk e dinte nëse ideja do të funksiononte.

Motivet i përzgjidhnin vetë, kryesisht ishin pamje që u pëlqenin në Hamburg. Ai përzgjodhi kishën e lagjes Altenwerder, që ndodhej në mes të një zone industriale. “Fshati nuk dukej askund përreth”, çuditej asokohe, edhe pse tani e di që kisha i takonte fshatit Altenwerder, i cili ishte rrënuar në vitin 1998, për shkak të zgjerimit të portit.

Lindja e "kontejnerografisë"

Për të shkrepur fotografinë Strahl iu desh që para kishës të qëndronte plot 45 minuta.

“Ishte tmerrësisht gjatë”, sqaron me buzëqeshje mjekroshi Hans-Peter Strahl.

Disa prej kolegëve të tij për një ekspozicion iu duhej pritur deri në një orë. Urimi ishte i nevojshëm, sepse vetëm pas disa orëve mund të shihej nëse fotografia e shkrepur ishte e mirë, kur ajo të zhvillohej në laborator. Strahl nuk ishte i pranishëm në asnjë zhvillim fotografish, kështu që i duhej pritur vërtet gjatë.

“Por, gjithçka doli mirë”, tregon ai me një zë krenar. Me të drejtë, sepse fotografitë bardh-e-zi, që rrezatojnë me mister, të kujtojnë fotografitë artistike të viteve të 20’a të shekullit të kaluar.

Bërllok-mbledhësit ishin autorë të tyre, e agjencia e ngarkuar për teknikë shpiku shprehjen “kontejnerografi”.

Projekti, në fakt, nuk ndryshoi asgjë në përditshmërinë e bërllok-mbledhësve të Hamburgut. Hans-Peter Strahl ende pastron lagjen St. Pauli, si pjesë e ekipit prej pesë vetash që punojnë me një kamion. Dy kolegë të tij në pastrimin e qytetit punojnë tash e 20 vjet, ndërkohë që shumë të tjerë kanë ndërruar ‘zanat’, dhe tani punojnë si muratorë, kuzhinierë, zdrukthëtarë, molerë ose automekanikë.

Projekti u pëlqeu të gjithëve, por u erdhi keq që përfundoi. Në fakt, kamera obscura në formë kontejneri u dëmtua gjatë transportimit. Ajo tani nuk e lëshon më dritë brenda, kështu që me të më s’mund të fotografohet. Por, kjo gjë nuk e zvogëlon suksesin e projektit, që fitoi Luanin Argjendtë në Festivalin e Marketingut në Cannes. Njëkohësisht, Kompanisë së Pastrimit në Hamburg projekti i dha një arsye më tepër për të qenë krenare në punonjësit e saj, dhe në “kontejnerografitë” për të cilat dëgjoi gjithë bota.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›