E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush është Ali Podrimja?

Ali Podrimja u lind më 28 gusht 1942 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filozofik, në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës.

Në vitin 1966 fillon punë në gazetën e përditshme "Rilindja", në rubrikën e kulturës.

Më 1976 kalon në edicionin e Botimeve "Rilindja", ku udhëheq bibliotekat: Poezia shqipe, Letërsia botërore dhe letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave. është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës i PEN-it shqiptar. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 zgjidhet anëtar i rregullt.

Me shkrime filloi të merret që gjimnazist. Poezinë e parë 'Arabja' e botoi në revistën "Jeta e re" nr. 4, 1957. Po kjo revistë në vitin 1961 botoi dhe librin e tij të parë "Thirrje", i cili me përkthim të poetit Esat Mekuli u botua edhe në gjuhën serbokroate (1968). Përmbledhja "Thirrje" në vitin 1971 u bë karton në Tiranë për shkak të disa poezive hermetike. Ekzemplari i shpëtuar nga një poet tiranas, udhëtoi deri te autori hiç më pak se 20 vjet.

Veç poezive, Podrimja shkruan ese e tregime. Bashkëpunon me të gjitha revistat e fletushkat në gjuhën shqipe brenda dhe jashtë atdheut. është fitues i shpërblimeve të ndryshme letrare. Në vitin 1999, në Shtutgart të Gjermanisë, u nderua me shpërblimin e mirënjohur letrar Nikolas Linau. Librat e tij janë botuar, ribotuar dhe përkthyer në disa gjuhë. Ka qenë prezent në shumë manifestime ndërkombëtare. Ali Podrimja jetonte në Prishtinë. (Start)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›