E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kontigjenti i parë i FA në operacionet e BE: Hasani: Linjëzim i plotë me politikën e sigurisë së BE

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Forcat e Armatosura të Shqipërisë po rrisin më tej kontributin e tyre në misionet ndërkombëtare, duke rritur me 30 trupa praninë e tyre në operacionin e Bashkimit Evropian, ALTHEA në Bosnjë-Hercegovinë.

Një togë nga Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë i Forcës Tokësore do të jetë kontingjenti i parë në këtë operacion, ku vitet e fundit FA kanë kontribuar me oficerë shtabi.

Në ceremoninë e përcjelljes së këtij kontingjenti nga garnizoni i Zall-Herrit, morën pjesë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, ambasadori i Republikës së Turqisë në vendin tonë Tayyar Kağan Atay, I ngarkuari me Punë i BE-së Andre Rizzo, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjenerallejtnant Arben Kingji, komandanti i Forcës Tokësore gjeneralmajor Ilir Xhepexhia etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani vlerësoi se “ky angazhim nuk është thjesht një detyrë ushtarake, por një dëshmi e qartë e përkushtimit tonë të palëkundur ndaj sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja jonë në këtë mision pasqyron vlerat që ne ndajmë me partnerët tanë: paqen, bashkëpunimin dhe sigurinë kolektive”.

“Gjatë viteve, Shqipëria ka ndërtuar një histori të suksesshme dhe të denjë në angazhimet ndërkombëtare, si një vend anëtar i NATO-s dhe një partner i besueshëm në kuadër të Bashkimit Evropian. Pjesëmarrja jonë në misionet e Bashkimit Evropian, si EUFOR “ALTHEA” dhe ai në Mali, ka dëshmuar profesionalizmin, disiplinën dhe përkushtimin e Forcave tona të Armatosura. Ju, përmes përgatitjes dhe aftësive të tyre, keni fituar respektin e aleatëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë,” u shpreh ndër të tjera ministri Hasani.

“Si dikush që ka pasur privilegjin të jetë pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të punojë ngushtë me FA, si dikush që ka qenë pranë përpjekjeve, sakrificave dhe përkushtimit tuaj, e përjetoj këtë ceremoni me ndjenjën e krenarisë dhe respektit të thellë për punën dhe misionet tuaja.

Ky angazhim nuk është thjesht një detyrë ushtarake, por një dëshmi e qartë e përkushtimit tonë të palëkundur ndaj sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja jonë në këtë mision pasqyron vlerat që ne ndajmë me partnerët tanë, paqen, bashkëpunimin dhe sigurinë kolektive,” u shpreh Hasani.

“Gjatë viteve, Shqipëria ka ndërtuar një histori të suksesshme dhe të denjë në angazhimet ndërkombëtare si vend anëtar i NATO-s dhe një partner i besueshëm në kuadrin e Bashkimit Evropian. Pjesëmarrja janë në misione të BE-së kanë dëshmuar profesionalizmin, përkushtimin dhe disiplinën e Forcave tona të Armatosura. Ju, përmes përgatitjes dhe aftësive tuaja keni fituar respektin e aleatëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë,” vijoi ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Sot, ky kontingjent prej 30 ushtarakësh të përzgjedhur mes më të mirëve të FA të Shqipërisë është një tjetër dëshmi e gatishmërisë dhe aftësisë sonë për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar. Përmes këtij angazhimi, jo vetëm forcojmë marrëdhëniet me BE, por dhe dëshmojnë qartë rolin e rëndësishëm të Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon”.

“ALTHEA ka një rëndësi të veçantë për Ballkanin Perëndimor, duke luajtur një rol kyç në marrëveshjen e Dejtonit dhe në garantimin e stabilitetit në Bosnjë dhe Hercegovinë. Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë mision nuk është vetëm një kontribut për paqen dhe sigurinë rajonale, por një shprehje e linjëzimit të plotë të vendit tonë me politikën e përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes së BE,” shtoi Hasani.

Ministri theksoi se ky kontingjent i integruar me kompaninë e FA të Republikës së Turqisë do të japë një kontribut të çmuar në sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm të Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Progresi i Shqipërisë në procesin e integrimit evropian gjatë vitit 2024 ka qenë historik. Vjet kemi hapur negociatat për kapitujt kyç, duke dëshmuar angazhim maksimal për të përmbushur objektivat tona strategjike. Komisioni Evropian ka shprehur mbështetjen e tij për qëllimin tonë kombëtar, për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027. Një tjetër arritje ka qenë nënshkrimi i deklaratës së partneritetit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me BE-në, ministri juaj dhe unë e firmosëm në muajin dhjetor. Një moment historik që forcon më tej bashkëpunimin tonë me BE-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Ky partneritet jo vetëm rrit kapacitetet tona në fushën e sigurisë, por dëshmon qartë që Shqipëria është një faktor i rëndësishëm dhe i besueshëm në arkitekturën e sigurisë evropiane,” pohoi Hasani në fjalën e tij.

Ambasadori turk Atay theksoi bashkëpunimin e hershëm mes forcave të armatosura të dy vendeve, të cilat kanë shërbyer krah njëra-tjetrës në Afganistan, megjithatë e konsideroi nisjen e këtij operacioni të ri si një moment të rëndësishëm në vazhdimësinë e bashkëpunimit dypalësh.

I Ngarkuari me Punë i Bashkimit Evropian, Andre Rizzo vlerësoi rreshtimin e plotë të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë së BE, duke e konsideruar vendin tonë si një partner të rëndësishëm si mjedisin e sigurisë globale.

1 nga 11

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›