E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrabandonin mallra nga Greqia, arrestohen dy persona

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ Dy persona janë arrestuar në Gjirokastër, pasi akuzohen për kontrabandë mallrash nga Greqia. Të arrestuarit, 43-vjeçarët O. L. dhe M. D., të dy banues në Tiranë, u kapën në flagrancë në aksin rrugor Kakavijë-Gjirokastër, teksa transportonin me autobus mallra të dyshuara të kontrabanduara nga Greqia.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër njoftoi sot se ka finalizuar operacionin policor të koduar “Akciza 3”, për goditjen e kontrabandës së mallrave.

Gjatë këtij aksioni u kapën në flagrancë, në aksin rrugor “Kakavijë-Gjirokastër”, duke transportuar me autobus mallra të ndryshme të kontrabanduara nga Greqia, vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen 22 695 euro, 100 steka me cigare dhe mallra të tjera të kontrabanduara, si dhe autobusi dhe 1 aparat celular.

Gjatë kontrollit të autobusit, policia gjeti të fshehura në ambiente të mbyllura 100 steka me cigare dhe 22 695 euro, ndërsa në bagazh u gjetën produkte të ndryshme deti dhe mishi, produkte bulmeti, medikamente, si dhe 13 thasë me veshje të markave të ndryshme.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mallrat, autobusi dhe një aparat celular.

Sipas policisë, dy personat dyshohet se janë përfshirë në veprimtari të kontrabandës së mallrave, mosdeklarimit në kufi të parave dhe sendeve me vlerë, fshehjes së të ardhurave dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›