E Diel, 1 Nëntor 2026

Në kërkim nga Gjermania për trafik droge, arrestohet në Morinë 34-vjeçari nga Kosova

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ Kapet në Morinë një 34-vjeçar nga Kosova, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane, për trafikim të lëndëve narkotike.

Si rezultat i kontrolleve dhe i verifikimeve në hyrje/dalje, me objektiv goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilët tentojnë të lëvizin ilegalisht për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, kapën në hyrje të RSh-së dhe arrestuan me qëllim ekstradimin, shtetasin kosovar Y. A., 34 vjeç, banues në Ferizaj, Kosovë.

Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Wiesbaden, Gjermani, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga legjislacioni penal gjerman.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Gjermani, vijon procedurat për ekstradimin e 34-vjeçarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›