Kontrata e lobimit të PD, Rama: Një boomerang i madh, 100% e paligjshme në Shqipëri

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sërish sot për kontratën e lobimit të Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi sipas tij nuk funksionon në këtë mënyrë Amerika, sepse nuk është një vend që mund të merret prej hunde për interesa politike të një vendi të caktuar, për paratë apo zgjedhjet e kujtdo qoftë, sepse ndryshe nuk do të ishin superfuqi botërore.
Ishte konstatimi i gazetarit gjatë intervistës televizive, që u shpreh se fushata e PD duket e orientuar nga Uashingtoni dhe LaCivita. Ndërsa, sipas gazetarit, PD pretendon se ka qenë kryeministri Rama që e ka larguar Berishën nga pushteti përmes vendosjes së nongratës.
Rama tha gjatë një interviste televizive gjatë mbrëmjes së sotme, se “ka njerëz që ti i zgjedh në jetën tënde, ka edhe mallkime që të ndjekin në jetën tënde. Të jesh i sigurt që e lexoj perfekt”.
“As ai vetë nuk e beson atë që thotë dhe ai e di shumë mirë nga i ka ardhur ajo që i ka ardhur. Ai e di që nuk kam lidhje as unë, as George Soros, por është kapur pas asaj narrative që të mendohej se një kryeministër i një vendi si Shqipëria. Ose më jep kë të duash, Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, të ketë fuqi të ndikojë një firmë të Sekretarit amerikan të Shtetit do të thotë të mos njohësh Amerikën”, tha Rama, teksa shtoi se SHBA nuk funksionojnë kështu, pasi nëse do ishte Amerika një vend që mund të merrej për hunde nga interesat politike të një vendi apo nga paratë e kujtdo në zgjedhjet e tyre politike, nuk do të ishin superfuqi botërore, do ishin bërë zhele.
“Sa para ka bota, e sa zgjedhje, sa ar e diktatorë ka bota do e kishin futur Amerikën në thes. Ku blihet Amerika me lekë?! Amerika t’i merr lekët, të këput edhe kokën”, pohoi Rama.
Sipas Kryeministrit Rama, historitë me McGonigal dhe këto të tjerat me Amerikën janë histori që tregojnë se nuk ka lidhje kjo formë me Amerikën dhe Bufi është shumë i qartë në gjithçka. “E bën këtë se do të thotë diçka, do të tregojë të vërtetën, s’e thotë dot. Do thotë që i meriton ato që i kanë vënë damkën si familje? Nuk i thotë dot, pjesa tjetër, pse nuk u hoq nongrata? LaCivita punon për dikë që ofron paratë”, tha Rama.
Më tej, Rama pohoi se janë paguar 6 milionë dollarë dhe sipas tij janë një shumë marramendëse.
“6 milionë dollarë janë shumë. Lulit për 500 mijë euro, që prapë janë shumë, iu bë gjithë ajo gurgule dhe Bufi i bëri gjyqin Lulit. Kjo kontratë do jetë boomerang i madh politikisht, jo vetëm me ligjin shqiptar, por edhe në SHBA. Në Shqipëri ajo ligjërisht është 100% e paligjshme. Ti nuk ke të drejtë si parti politike të marrësh donacion përtej një kufiri të caktuar”, cilësoi Rama.
/r.e/