A/H1N1; Viktima e pestë, vdes 18-vjeçarja shtatzënë
Vdes si pasojë e virusit A/H1N1 18-vjeçarja shtatzënë duke çuar në 5 numrin e viktimave të këtij gripi në vendin tonë. Instituti i Shëndetit Publik konfirmon sot vdekjen si pasojë e prekjes nga virusi i rëndë të 18-vjeçares shtatzënë, e cila prej gjashtë ditësh ishte shtruar në spitalin infektiv në QSUT dhe mbahej në repartin e terapisë intensive. Vdekja e 18-vjeçares çon në 5 numrin e viktimave. Drejtori i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, bëri të ditur se 18-vjeçarja ka gjetur vdekjen dje rreth orës 16:00, ndërsa ishte në muajin e tetë të shtatzënisë. “Ishte në muajin e 8-të të shtatzënisë, një infeksion nga gripi tek kjo grua nuk u përballua dot me gjithë ndërhyrjen e specializuar”, - theksoi Pipero. Ndërsa bën thirrje për kujdes ndaj higjienës personale, Pipero thekson se situata e gripit pandemik është nën kontroll dhe vala e infeksionit ka pësuar rënie. Viktima e katërt e virusit A/H1N1 në vend u shënua tri ditë më parë. 31-vjeçari me iniciale E. M. nga qyteti i Vlorës u shtrua në spitalin e Vlorës pas disa ditëve kurim në shtëpi, por pas përkeqësimit të gjendjes u transferua në Tiranë ku humbi dhe jetën.
Ndërkohë, një grua 47-vjeçare nga Shkodra, e cila vuante nga mushkëritë, hipertensioni dhe hiperobeziteti dhe një 51-vjeçar po nga qyteti i Shkodrës kanë humbur jetën gjatë ditëve të fundit nga virusi A/H1N1. Viktima e parë e regjistruar në Shqipëri ishte një burrë 57-vjeçar nga Sukthi i Durrësit, i cili vuante edhe nga tumori në prostatë. Sipas informacioneve të ISHP-së, deri më sot regjistrohen 334 të prekur nga gripi i derrit, ku mosha mesatare e rasteve të prekura është 23 vjeç. Sipas ISHP-së, deri sot në këtë institut janë marrë 2357 mostra të grupmoshave 15-24 vjeç.