E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontributet, detyrimet që falen sipas subjekteve

Krahas faljes së disa detyrimeve në sektorë të tjerë, ligji nr.10418, datë 21.4.2011 “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”, fal dhe një pjesë të mirë të detyrimeve kontributive, gjobave e kamatëvonesave në fushën e sigurimeve shoqërore. Ligji i mësipërm, faljen e detyrimeve kontributive, gjobave dha kamatëvonesave, e bën në përputhje me statusin e subjekteve, duke pasur në konsideratë subjektet e vetëpunësuara që nuk kanë të punësuar të tjerë, si dhe subjektet juridike e fizike me të punësuar, ku punëdhënësit krahas përgjegjësive të tyre, kanë përgjegjësi për sigurimin shoqëror dhe të personave të tjerë të punësuar. Duke analizuar efektet e ligjit të miratuar, rezulton se për subjektet që janë debitore pranë ISSH-së deri më 31.12.2004, përfitojnë 523 subjekte fizike me një shumë prej rreth 18.2 milionë lekësh dhe 838 subjekte juridike me një shumë prej rreth 458.8 milionë lekësh kamatëvonesa. Efektet e përfitimit janë shumë të mëdha për periudhën që shërbimi i pagesës së kontributeve është transferuar në organet tatimore, ku përfitojnë afro 23 000 subjekte me një shumë prej 3.1 miliardë lekësh.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›