Sigurimet, 31 dhjetori afati i fundit për pagesat
Dita e fundit e këtij viti do të jetë afati i fundit për të përfituar nga falja e kontributeve, kamatëvonesave dhe gjobave për detyrimet e pashlyera. Sipas ligjit për amnistinë fiskale, falja e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të vetëpunësuarit do të bëhet e mundur nëse ata paguajnë të gjitha pagesat e vitit aktual brenda datës 31 dhjetor 2011. Kështu, tatimpaguesve të regjistruar si të vetëpunësuar, duke përfshirë edhe të vetëpunësuarit në bujqësi, u falen: të gjitha detyrimet e papaguara të lidhura me derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për veten e tyre, për periudhën deri në fund të vitit 2008; të gjitha detyrimet e papaguara të lidhura me derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për veten e tyre për periudhën nga 1 janari 2009 deri më 31 dhjetor 2010, me kusht që brenda datës 31 dhjetor 2011, të deklarojnë dhe të paguajnë të gjitha detyrimet që lindin gjatë vitit 2011. Tatimpaguesit që paguajnë të gjitha shumat e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore brenda afatit të zbatimit të këtij ligji, përfitojnë nga falja e të gjitha gjobave dhe kamatëvonesave të lidhura me detyrimet e pashlyera. Por, periudha për të cilën nuk janë paguar sigurimet shoqërore dhe për të cilën kontributi është falur, nuk do të konsiderohet për efekt të përfitimit të së drejtës për pension. Ndërkaq, të gjithë tatimpaguesve, persona fizikë dhe juridikë, të cilët nuk kanë derdhur të gjitha detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të lidhura me periudhën deri më 31 dhjetor 2010, u falen të gjitha shumat e gjobave dhe të kamatëvonesave.