Kontrolle për sigurinë ushqimore, Krifca: Garantojmë cilësi! Asgjësohen 4 ton ushqime në Korçë

Ministria e Bujqësisë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, po ushtrojnë kontrolle dhe takime informuese me subjektet e shërbimeve në zonat turistike. Nga Pogradeci, Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca, konfirmoi se kontrollet do të garantojnë respektimin e standardeve ushqimore.
“Në Pogradec gjatë muajve të verës kemi dyfishim të numrit të popullatës. Ekipi i AKU-së raporton për një kontroll dhe një prezencë të shtuar edhe në subjekte që tregtojnë ushqime si minimarkete, supermarkete, bare, restorante, kafe apo tregtues të ushqimeve të shpejta dhe fabrika përpunimi të ushqimeve të ndryshme. Kjo për të siguruar një kontroll të shtuar për sa i takon parametrave të zbatimit të sigurisë ushqimore”, tha Ministrja.
Krifca paralajmëroi ndëshkim për ato subjekte, që për përfitime, do të cenojnë apo do të abuzojnë me standardet e sigurisë ushqimore.
“Në Korçë kemi gjetur në një supermaket që ishte e i licencuar që kryente aktivitetin jashtë normave të lejuara dhe me mashtrim me etiketat. Ky subjekt është bllokuar, janë rreth 4 ton ushqime të asgjësuara. AKU nuk do të bëjë asnjë tolerancë për veprimtari të tilla të paligjshme. Ne nuk mund të tolerojmë në sigurinë ushqimore dhe aktivitete të tilla patjetër që do të bllokohen”, tha Ministrja.
Krifca njoftoi edhe një projekt të ri edhe për liqenin e Ohrit, i cili parashikon mole peshkimi dhe vende të posaçme për tregtimin dhe magazinimin e peshkut.
“Do të ndërtojmë dy mole peshkimi që do jenë të bashkëshoqëruara me tregje të vogla me standarde të larta. Do kemi një situatë krejtësisht të transformuar në këtë zonë”, u shpreh Ministrja.
Mijëra turistë vendas dhe të huaj zgjedhin Pogradecin si destinacon për pushimet e tyre, ndërsa autoritetet angazhohen për përmbushje të detyrimeve për sigurinë ushqimore.
Gazetare: Denada Shkodrani
/RTSH/