E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Sherri me shkopinj bejsbolli në Hamallaj, Nikolla: Përfshirja e gardistit, e dënueshme. Të zbardhet ngjarja

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka reaguar në lidhje me ngjarjen e regjistruar këtë të diel (30 korrik) në Hamallaj, ku dy familje u konfliktuan me njëra-tjetrën, duke përdorur edhe shkopinj bejsbolli, ndërsa u përfshi edhe një gardist. Në reagimin e saj, Nikolla ka dënuar përfshirjen e gardistit Martin Nikolli, i cili qëlloi me armë zjarri gjatë konfliktit.

Kryetarja e Kuvendit bën thirrje për zbardhjen e ngjarjes dhe dënimin e personave përgjegjës “pavarësisht pozicionit ku ka shërbyer deri më sot“.

 “Ngjarja e ndodhur sot në Hamallaj, ku është përfshirë efektivi i Gardës  së Republikës (që nga viti 2006) Martin  Nikolli është e dënueshme. Dëshiroj të përshëndes Policinë e Shtetit për ndalimin e menjëhershëm të personit në fjalë dhe të inkurajoj organet e drejtësisë për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe dënimin e kujtdo që ka gisht në këtë rast flagrant, pavarësisht pozicionit ku ka shërbyer deri më sot.  Në të njëjtën kohë, solidarizohem plotësisht me familjen Kaçi dhe i siguroj se institucionet e Republikës janë të angazhuara dhe në krye të detyrës për t’i ofruar të gjithë mbrojtjen që parashikon ligji”, shkruan Nikolla.

Ngjarja u regjistrua mëngjesin e sotëm në lagjen Hidrovori, kur Martin Nikolla së bashku me vëllezërit e tij u kanë zënë pritë dhe kanë goditur me shkopinj bejsbolli e mjete të forta, anëtarë të familjes Kaçi. Gjatë konfliktit, punonjësi i gardës, me inicialet M. N., ka qëlluar në ajër, me armën e shërbimit. Si pasojë e përplasjes së dhunshme janë plagosur 3 djemtë e familjes Kaçi njëri prej të cilëve ka përfunduar në spitalin rajonal të Durrësit. Ndërkohë, janë shoqëruar nga policia Alfred, Petrit e Arben Nikolli. Ndërkohë,  Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përjashtuar nga radhët e Gardës së Republikës gardistin.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›