Ndahet nga jeta Kryepeshkopi Anastas Janullatos

TIRANË, 25 janar/ATSH/ Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë shëndetësore.
Në njoftimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë thuhet: “Fjeti me Zotin Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi”.
Kryepeshkopi vdiq sot, më 25 janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit, në moshën 95-vjeçare, në spitalin “Evangelismos” në Athinë, si pasojë e mosfunksionimit të mjaftueshëm të shumë organeve. Më parë ai është trajtuar për disa ditë në spitalin “Hygeia” në Tiranë.
Kisha Ortodokse ftoi besimtarët të luten për prehjen e shpirtit të Kryepeshkopit të ndjerë.
“Hirësia e tij, Kryepeshkopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rivitalizuesi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin e tij hyjnor dhe punën e palodhur, ai rindërtoi jetën kishtare nga themelet, ndërtoi qindra kisha, themeloi institucione arsimore dhe bamirëse dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar shërbim të pafund dhe sakrificë për më shumë se 33 vjet. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij”, shkruhet në njoftimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, në rrjetet sociale.
/a.f/