E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrolli ushqimor rritet monitorimi ne zonat turistike

Me çeljen e sezonit turistik, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka intesifikuar kontrollet në restorante, fast food-e,  apo dhe subjekte të tjera që tregtojnë mallra ushqimore përgjatë vijës bregdetare. Kjo sipas tyre, për të shmangur problemet shëndetsore që mund të shkaktojnë ushqimet që tregtohen apo serviren jo në përputhje me kushtet higjeno- sanitare.

“Frekuenca e kontrollit rritet për arsye se fluksi i njerëzve, konsumatorëve që konsumojnë këto produkte është më i lartë.  Që nga kushtet e higjenës, dokumentacioni i lëndëve të para që secili restorant merr përsa i përket produkteve që ai përdor, sigurisht edhe kushtet e ruajtjes së këtyre produkteve dhe mënyrën se në çfarë kushtesh higjenike i shërben këto produkte”-shprehet Ernest Gjuraj, Shef i Inspektimit të Ushqimit, AKU.

Sipas kryeinspektorëve, muajt e fundit janë kryer kontrrolle dhe në furrat e bukës, pasi  është produkt i përditshëm i tryezës. Janë zhvilluar 225 kontrolle në këto subjekte, të cilat kanë patur edhe probleme.  Ligji i ushqimit, sipas inspektorëve parashikon dhe gjoba, ndërkohë që inspektorët, rekomandojnë edhe kriteret që duhet të përmbushin këto subjekte.

“Janë goxha të larta. Fillojnë nga 500 mijë të reja deri në 5 milionë lekë të reja, që do të thotë se është një gjobë administrative mjaft e lartë për një administrator biznesi, prandaj dhe u bëjmë thirrje të mos e lejojnë veten të shkojnë në këtë ekstrem. Kemi të garantuar që secila bukë në raftin e vetë është me etiketën përkatëse, ku konsumatori e di se çfarë blen. Nga ana tjetër, konsumatori të mos e marrë bukën në qese plastike, por në një letër e cila të jetë letër ku lejohet të futen produkte ushqimore. Atëherë mendoj se është një hap i parë i mirë në këtë drejtim, përsa i përket bukës”-thotë ai.
 
Objekt kontrolli për Autoritetin Kombëtar të Ushqimit do të jenë edhe tregjet, të cilat manaxhohen nga pushteti vendor. Vetëm një vit më parë u mbyllën dy tregje  në Tiranë, të cilat nuk plotësonin kushtet higjeno-sanitare.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›