E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreziku nga pishinat nen vezhgim 31 pishinat e Tiranes

Rreth 31 pishina në Tiranë do të monitorohen vazhdimisht gjatë gjithë stinës së verës nga inspektorët e   Drejtorisë së Shëndetit Publik. Sipas tyre, këto subjekte do të kontrollen për sasinë e klorit në ujë si dhe për  pastërtinë që ato ofrojnë. Ata shprehen për Albanian Screen se aktualisht, këto subjekte janë brenda standarteve që parashikon ligji për shëndetin.

“I detyron rregullorja të bëjnë analizat e pishinave dy herë në muaj. Ne verifikojmë nga ana jonë, bëjmë kontroll përsa i përket klorit. Klorinimi bëhet përditë. Në bazë të rregullores, uji i pishinave konsiderohet i pijshëm, pra të gjitha normat që janë për ujin e pishjëm, konsiderohen disponibël edhe për ujin e pishinave. Aktualisht, në momentin që flasim, të gjitha rezultojnë brenda normave të lejuara. Ndoshta, vetë stina është shtyrë pak, nuk ka një frekuentim masiv”-thotë Areti Beruka, specialiste në Drejtorinë e Shëndetit Publik.

Nëse subjektet nuk plotësojnë rregulloren e lëshuar nga inspektorët e shëndetit, atëherë merren masa administrative, si gjoba e deri në atë më ekstreme, mbylljen e aktivitetit.

“Ligji mund të paraqesë disa lloj afatesh, duke filluar imediate, që brenda ditës, brenda dy ditëve. Ajo është specifike. Në rast të mos zbatimit, penalizohen po në bazë të ligjit, me masë administrative deri në mbyllje provizore, ose edhe definitive”-thotë ajo.

Vitin e kaluar, gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht ,  pishinat në Tiranë kanë ofruar shërbim brenda të gjitha kushteve higjeno-sanitare sipas inspektorëve, ndërkohë që këtë e ka vërtetuar dhe numri shumë i pakët i pacientëve, që mund të jenë infektuar nga uji i tyre, apo dhe nga faktorë të tjerë.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›