E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konventa e PD, Patozi: Rama bllokon zhvillimin e fshatit, se atje votojnë për Saliun

TIRANE- Partia Demokratike po zhvillon në Pallatin e Kongreseve konventën e dytë, pas asaj për punësimin, me në fokus mbështetjen ndaj fermerëve shqiptarë. Konventa u hap nga ministri i Financave, Ridvan Bode i cili u shpreh se zonat rurale janë shpirti i këtij vendi dhe zhvillimi i tyre do të thotë zhvillim për të gjithë Shqipërinë.

Bazuar në modelin amerikan, në Konventë po flasin njëri pas tjetrit personalitete të qeverisë por edhe figura të reja të spikatura, duke paraqitur me detaje programin e demokratëve për mbështetjen ndaj fermerëve. 

RULI: RAMA SYNON T’I MARRE FRYMËN BIZNESIT
ORA: 18:35 - Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli akuzoi kryetarin e PS-së, Edi Rama, se me programin e tij synon “t’i marrë frymën biznesit përpunues dhe agrobiznesit në Shqipëri, përmes rritjes së taksave.”

“Edi Rama është për taksën progresive dhe ne themi, njerëz bëni kujdes sepse ai mendon vetëm se si e si taksat t’i rrisë në mënyrë progresive. Për 11 vjet qytetarët kanë parë një Ramë kryetar bashkie që dyfishoi taksat për qytetarët e Tiranës. Ka deklaruar se do heqë TVSH dhe për prodhimet bujqësore dhe ushqimore, kjo “bamirësi” e Ramës vetëm do ta vrasi fermerin shqiptar. Plani i Edi Ramës është një dhe vetëm një, rritja e taksave për biznesin e mesëm. Ne duhet të ndalojmë që rritja e taksave të ndodhë në Shqipëri”- deklaroi Ruli.

Ministri Ruli theksoi vendosmërinë e qeverisë për ta konsideruar zhvillimin e fshatit si një ndër prioritetet e programit të PD-së.
“Ky premtim është realist, është i besueshëm, pasi ne arritëm të bëjmë shumë për fshatin gjatë viteve të kaluara. Në 5 vitet e fundit qeveria jonë për herë të parë zbatoi skemën e ndihmave të drejtpërdrejta falas për fermerët. Këto fonde do të shumëfishohen gjatë mandatit të ardhshëm. Eksperienca e ka treguar që modeli jonë ka qenë i suksesshëm.”- deklaroi ministri Ruli.

TOPALLI: KEMI NXJERRE FSHATIN NGA IZOLIMI
ORA 18:24 - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e vuri theksin në arritjet e kësaj qeverie për përmirësimin e kushteve të jetesës në fshat.
Sipas Topallit, “me punën që qeveria Berisha ka bërë në këto tetë vjet, jo vetëm që e ka nxjerrë fshatin nga izolimi, por nëpërmjet shërbimit të interneti falas në të gjitha pikat e postës shqiptare e ka lidhur atë me botën”.

Topalli theksoi se zhvillimi i fshatit është zhvillimi i Shqipërisë. “PD ka punuar fort gjatë këtyre viteve, por ka dhe shumë për të bërë dhe kjo do të realizohet gjatë katër viteve të ardhshme. Ne duam t’i trajtojmë njësoj të gjithë qytetarët e këtij vendi, pavarësisht se ku banojnë. Ne e dimë se çfarë duhet bërë tjetër dhe ne do ta bëjmë këtë gjatë 4 viteve të fundit. Zhvillimi i fshatit është zhvillimi i Shqipërisë, në jemi ndryshimi përpara, përpara përpara.”- përfundoi Topalli.

PATOZI: RAMA BLLOKON ZHVILLIMIN E FSHATIT, SE ATJE VOTOJNË PËR SALIUN
ORA 18:14- Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi deklaroi gjatë konventës se Partia Demokratike do vazhdojë të punojë fort për lidhjen e zonave rurale me akset kombëtare, por edhe për tju ofruar atyre më shumë arsimim e teknologji moderne.

Në anën tjetër tha Patozi qëndron Rama me alternativën e tij të bllokimit. Sipas Patozit Rama nuk e do zhvillimin e fshatit.

“Zoti Rama ka një vizion të krijuar në odën e tij të fantazive, ai s’do që Shqipëria rurale të zhvillohet, nuk punon që gjithë shqiptarët të zhvillohen njësoj, do të vërë mur bllokues për zhvillimin e fshatrave, duket se ai thellë thellë e urren fshatin, banorët e Shqipërisë rurale i ka konsideruar si injorantë që votojnë Saliun”, tha Patozi.
Sipas Patozit strategjia e tij elektorale, përbëhet vetëm nga axhenda e tij personale. “Nga ai nuk pres asgjë të mirë është kundër cdo lloj zhvillimi”.

OLLDASHI: INVESTIMET, JETA NE FSHAT NUK ESHTE ME MUNDIM
ORA: 18:01 -Gjatë fjalës së tij në konventën “për më shumë mbështetje për fermerët”, Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, renditi investimet e qeverisë në zonat rurale, duke theksuar se vështirësitë e fshatit kanë qenë sfidë gjatë 8 viteve të fundit. Sipas ministrit Olldashi, investimet kanë bërë që jeta në fshat të mos jetë më një mundim. 

“Sot në çdo cep të Shqipërisë ku me parë ishte bela të jetojë, ku çdokush mendonte të ikte, mjafton që të shpëtonte prej fshatit, sot situata është ndryshe, në fshat ka rrugë të shtruara, ka biznese, ka jetë. 8 vjet rresht ne kemi bërë detyrat tona, kemi ndërtuar 10 mijë km rrugë, kemi përmirësuar sistemin e ujësjellësave duke siguruar furnizimin me ujë të rrjedhshëm brenda standardeve. Në sajë të investimeve sot situata ka ndryshuar për mirë dhe jeta në fshat nuk është më një mundim. Ne jemi ndryshimi, ne jemi ata që mbajnë premtimet, që ndryshojnë Shqipërinë, përpara”- u shpreh ministri Olldashi.

BODE: PERSHPEJTOJME NDRYSHIMIN E SHQIPERISE RURALE
ORA 17:15- Konventa u hap nga ministri i Financave, Ridvan Bode i cili u shpreh se zonat rurale janë shpirti i këtij vendi dhe zhvillimi i tyre do të thotë zhvilli për të gjithë Shqipërinë.

“Kur zhvillohet Shqipëria rurale nuk ka rëndësi ku jeton gjithsecili. Të gjithë shqiptarët meritojnë një punë më dinjitoze, fermerët janë pjesa e kombit që siguron mirëqenien me sakrifica të mëdha, ata falin dashuri dhe përkujdesje për produktin e tyre, kultivojnë jetë bimësh dhe gjënë e gjallë. Ne besojmë se zonat rurale janë shpirti i këtij vendi, kur fshatrat dhe komunat tona zhvillohet mbarë Shqipëria zhvillohet”, tha ai.

Nën qeverisjen demokratike sic tha Bode më tej fshati dhe fermerët janë zhvilluar. Fermat shtoi ai, kanë rritur prodhimet e tyre dhe janë bërë më konkurruese falë investimeve të qeverisë, sic nënvizoi ai.

“Ndryshimi fillon nga një gjë e thjeshtë sic është një rrugë, që për ta është lidhje me tregun. Rrugët janë arteriet ku rrjedh mundi i fermerët. Në 8 vite ne kemi ndërtuar 6500 km rrugë rurale. Këto rrugë nuk i lidhin këta banorë vetëm me qytetet, por edhe me shkollat e qendrat shëndetësore”, tha Bode.

Bode tha më tej se, “Ne nuk ramë në krizë, bujqësia ishte pjesa më vitale përgjatë krizës, në 4 vitet e fundit është rritur 2 herë më shpejt se mesatarja e ekonomisë. Fermat kanë rritur prodhimin me 30%, produktet janë bërë më konkurruese dhe më të kërkuara”, tha Bode.

Ministri Bode nënvizoi se PD është e gatshme të përshpejtojë ndryshimin për zonat rurale.

“Ne e dimë se të gjitha sa kemi bërë nuk mjaftojnë, ne jemi të bindur që qytetarët meritojnë më shumë, sot të vendosim për përshpejtimin e ndryshimit. PD ka një program, atë që do shpalosim sot në këtë konventë. Programi që kërkojnë qytetarët dhe që do na ofrojë më shumë me kombet e zhvilluara. Fermerët nuk do paguajnë asnjë qindarke tatim për imputet në bujqësi, për farërat, asnjë qindarkë për makineritë që modernizojnë bujqësinë, kemi lehtësuar taksimin”, tha Bode.

“Ne sot jemi këtu, për të mbështetur fermerët, të punojmë për zhvillimin e Shqipërisë rurale, kur ka ajo sukses të gjithë kemi sukses, kur ajo ndryshon e gjithë jeta e shqiptarëve ndryshon”, vijoi ai.

(VIJON)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›