E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konviktorët protestojnë për kushtet

Studentët e Universitetit të Korçës protestojnë për kushtet që kanë në konviktet e tyre. Një grup i madh studentësh konviktorë janë mbledhur për të shprehur ankesat që kanë lidhur me kushtet e dy konvikteve të Universitetit "Fan S. Noli", që sipas tyre janë të papërshtatshme në shumë drejtime. Studentët kanë ngritur ankesa për numrin e pamjaftueshëm të dusheve, të mbipopullimit të dhomave, të funksionimit të mensës së konvikteve, pastërtinë etj., duke kërkuar nga autoritetet e trajtimit të studentëve por edhe nga zyrtarët lokalë që të ndërhyhet për të përmirësuar kushtet në të cilat ata jetojnë. Studentët kanë kërkuar që të investohet për ngritjen e një godine të re konvikti në mënyrë që të mos qëndrojnë nga 7 veta në një dhomë, ndërkohë që sipas tyre në një kat konvikti funksionojnë jo më shumë se dy dushe dhe në këto rrethana ata duhet të zënë radhë natën për t‘u larë në mëngjes. Kryetari i Qeverisë Studentore të Universitetit të Korçës, Erlin Dinellari, tha se vitet e fundit në sajë të investimeve ka përmirësime të jetesës në konvikte, e megjithatë ka shumë probleme që duhen zgjidhur. Zgjidhja e këtyre shqetësimeve sipas kryetarit të Qeverisë Studentore të Universitetit të Korçës është premtuar se do të mbështetet nga Drejtoria e Trajtimit të Studentëve, por në rast të kundërt do të ketë reagime më të ashpra të studentëve konviktorë për kushtet e tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›