E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, shkarkohet kreu i AKKP-së në Elbasan

Pas denoncimit në gazetën "Shqip" dhe në televizionin "Top Channel" të abuzimeve në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) në Qarkun e Elbasanit, ka ardhur edhe reagimi i parë nga qendra në Tiranë. Të enjten në mesditë është konfirmuar se me urdhër të kreut të AKKP-së në Tiranë është larguar nga detyra kreu i kësaj Agjencie në Elbasan, Agron Mina. Edhe pse mësohet se motivi i shkarkimit të tij mbetet disi grotesk "Për nxjerrje të sekretit shtetëror në media", urdhri në fjalë mund të konsiderohet edhe si reflektim i strukturave qendrore për abuzuesit dhe të paaftët në bazë. Agron Mina është vendosur në krye të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Elbasan më 4 shkurt të këtij viti dhe qëndroi në këtë post si i komanduar vetëm për një muaj, deri të enjten, kur i ka ardhur urdhri i shkarkimit. Në të njëjtën ditë, drejtori i shkarkuar ka shpërndarë një "qarkore" në rrethet mediatike të Elbasanit, ku rrëfehet për meritat e tij dhe akuzon për abuzime vartësit e tij, kryesisht që dhanë dorëheqje të imponuar nga abuzimet që kërkoheshin të bëheshin me firmë e vulë. "Unë do të padis në prokurori për shpifje dhe abuzime të mirëfillta ish-topografin e kësaj zyre, Nazmi Muça", - ka deklaruar drejtori i shkarkuar Mina. Ish-topografi Muça, ditë më parë dha dorëheqjen, duke deklaruar se largohej nga detyra "për të mos u bërë palë me ata që përkrahnin korrupsionin në këtë institucion". Dje, Muça, ka pohuar sërish se "tashmë radha është e imja që me fakte dhe dokumente do të bëj një kallëzim të tillë penal". Në pohimet e tij për mediat, ish-topografi i AKKP-së së Elbasanit nuk e ka kursyer edhe drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Tiranë, të cilin Nazmi Muça thotë se do ta padiste për nepotizëm në emërimin e kuadrove në Elbasan, si dhe për pagesa fiktive të njerëzve të tij në AKKP-në e Elbasanit. Sidoqoftë, Agron Mina, është urdhëruar të mos braktisë drejtimin e kësaj Agjencie deri në emërimin e një personi tjetër. Por, ndërsa zyrtarët e Kthimit të Pronave në Elbasan akuzojnë dhe kërcënojnë me padi penale njëri-tjetrin, ata që e vuajnë më tepër këtë situatë janë qytetarët e Elbasanit, të cilët kërkojnë kthimin e pronave dhe që janë rreshtuar në një listë të gjatë pritjeje që po i afrohet numrit njëmijë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›