Aktivistët e AMGJ përpara gjykatës
Kanë dalë përpara gjykatës gjashtë aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, të arrestuar për protestën e 31 marsit, kur bllokuan rrugën pranë Petroliferës. Ata akuzohen për bllokim të qarkullimit të automjeteve dhe organizim të tubimeve të paligjshme. Gjykata e Vlorës ka bërë dje vlerësimin e masës së sigurisë për gjashtë të arrestuarit dhe i ka ndarë vendimet. Gjashtë aktivistët e AMGJ-së figurojnë të arrestuar në flagrancë, dhe veprat penale për të cilat akuzohen janë të njëjta. Gjyqtari Fuat Muka ka marrë vendimin që seancat gjyqësore të bëhen të ndara dhe jo në grup dhe njëkohësisht këto do të bëhen pa praninë e medias. Gjykata vendosi që për Viktor Lagjin dhe Alfons Bilalin të marrë masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje" deri në përfundim të hetimeve ndaj tyre, ndërsa për Sadrit Danaj, nënkryetar i AMGJ-së dhe Eneid Hamzain, kryetar i studentëve të AMGJ-së, është marrë masa e sigurisë "burg pa afat", deri në përfundim të hetimeve. Besnik Lula ka qenë i vetmi që nuk e ka marrë dje masën e sigurisë, për shkak se seanca në ngarkim të tij është pezulluar nga avokati mbrojtës, Petraq Curri, i cili ka kërkuar këtë pezullim dhe njëkohësisht ndryshim të gjyqtarit Muka, duke e cilësuar si të njëanshëm. Gjatë kohës që zhvilloheshin seancat gjyqësore, rreth 50 persona kanë protestuar përpara Gjykatës së Vlorës, duke kërkuar lirimin e të arrestuarve.