Kooperativat, çelësi i zhdukjes së varfërisë
Beniamin Bejko
-Kooperativat luajnë një rol të madh në ekonominë e sotme globale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi më i zhvilluar në botë, janë gjithashtu edhe vendi më i kooperativizuar në botë. Katër në dhjetë shtetas janë anëtarë kooperative. Gjysma e prodhimit bujqësor vendas prodhohet nga kooperativat e fermerëve. Kooperativat luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm edhe në sektorin e shitjeve me shumicë, në sektorin e sigurimeve dhe të kredisë, në transport, në dyqanet e bukës dhe të brumrave, në sektorin e shërbimeve, etj. Shumë e ngjashme është situata edhe në Europë. Parlamenti Europian deklaron se kooperativat do të luajnë një rol vital, si aktorë të rëndësishëm ekonomiko-shoqëror në Strategjinë e Bashkimit Europian 2020. Në ekonomitë moderne gjejmë tre forma organizimi të ndërmarrjes: Private, kooperative kapitali dhe ent jofitimprurës (non profit), ose kooperativë pune. Kooperativa ka në thelbin e saj fitimin dhe ndryshon nga ndërmarrja private në aspektin e pronësisë. Ajo është plotesisht në pronësi të ortakëve të saj, të cilët kanë në dorë drejtimin dhe të drejtën e ndarjes së fitimit të krijuar. Pronarët e kooperativës janë njëkohësisht furnizues sepse i shesin kooperativës, ose klientë sepse blejnë nga kooperativa.
Enti jofitimprurës ose kooperativat e punës, janë pronë e askujt. Ata që drejtojnë janë të emëruar dhe nuk kanë të drejtë të përvetësojnë fitimin e krijuar të ndërmarrjes. Pra mund të thuhet që ekzistojnë dy alternativa të tjera përveç ndërmarrjes private, kooperativat e kapitalit, ku ortakët kanë bashkuar diçka dhe janë pronarë të saj dhe kooperativat e punës ku anëtarët kanë bashkuar vetëm krahun e punës dhe nuk janë as pronarë as drejtues të saj. Kooperativat e kapitalit luajnë një rol shumë të rëndësishëm sidomos në bujqësi dhe sektorët e ndërvarur prej saj. Ky fenomen shpjegohet shumë thjesht me faktin që siguron prodhim të shkallës. Në bujqësinë shqiptare, pikërisht kooperativa klasike duhet promovuar ose thënë ndyshe kooperativa e fermerëve, e cila nuk është një bashkim i individëvë por bashkim, i fermave private. Secila fermë ruan pronësinë e saj, dhe secili fermer punon në tokën e tij. Nuk bëhet fjalë për bashkim të tokave, por vetëm bashkim të produktit. Tregu, më saktë Ekonomia e Tregut të Lirë, është duke i imponuar fermerëve shiptarë bashkimin në kooperativa. Përfitimet e tjera që do të sjellë kooperimi janë: rritja e fuqisë blerëse për inputet bujqësore si farëra të sigurta, plehra kimike më cilësorë me çmime më të mira, sigurimi i teknologjisë dhe mekanikës bujqësore, ulja e kostos, sigurimi i standardeve të produkteve etj. Kooperativa do të sillte gjithashtu Integrimin Vertikal, që fillon me prodhimin e produktit bujqësor dhe vijon me magazinimin, seleksionimin, përpunimin agro-ushqimor, marketimin dhe shitjen e prodhimit të përpunuar në treg, duke përfituar kështu vlerën e shtuar, ndërsa blerësit do të përfitonin produkte cilësore me çmime më të mira. Në sektorin e shitjeve me shumicë kooperativat mbizotërojnë tregun. Ky tip kooperative është shumë i vlefshëm edhe në sektorët e prodhimit të bukës dhe brumrave, në sektorin e auto transportit, në atë të taksive etj.
Përveç prodhimit të shkallës dhe luftës kundër monopoleve, kooperativat kryejnë edhe një funksion tjetër tejet të rëndësishëm që është punësimi dhe kohezioni social. Në grupin e vendeve në zhvillim, ku bën pjesë edhe vendi ynë, kooperativat e punës ofrojnë mundësi të mëdha punësimi. Këto kooperativa quhen ndyshe "non profit organizations". Kooperativa të tilla gjenden me shumicë në Francë, Belgjikë, Gjermani, Itali, Spanjë etj. Edhe në sektorin e shëndetësisë gjejmë kooperativat e sanitarëvë të spitaleve, kooperativa të kujdesit për të moshuarit në qendrat e kujdesit. Në këtë grupim hyjnë edhe kooperativat kulturale dhe kooperativat e garancisë që u garantojnë bankave kthimin e kredisë së marrë nga artizanët që janë anëtarë të kooperativës.
Kooperativat mund të ngrihen në të gjithë sektorët e ekonomisë, duke krijuar kështu mundësinë që të interesuarit të zgjedhin sektorin më të përshtatshëm. Duke u bashkuar në kooperativa, prodhuesit e vegjël, artizanët, shitësit e ndryshëm, krijojnë automatikisht më shumë akses në shitje apo blerje produktesh, gjetje tregjesh të reja, shfrytëzimin e shërbimeve publike, për të arritur kështu një qëllim të dyfishtë: së pari, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe, së dyti, krijimin e kushteve të vetëmjaftueshmërisë brenda komunitetit, duke mundësuar kështu zhvillimin lokal.