Përgjegjësia fillon nga ëndrra
Me këtë përkufizim të William Butler Yeats do doja unë t’i fillojë analizat e mia mbi rolin e artit dhe kulturës në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, rolin e artistëve si mendimtarë e korrektues të shoqërisë, thellimin e dialogut ndërajonal si dhe peshën që ata duhet të mbajnë në procesin e integrimit dhe rilindjes europiane të vendit.Shprehja popullore ëndrra nuk kushton për mendimin tim mund të ketë pasoja katastrofale për personin vetë, e ndoshta dhe për një popull të tërë, nëse ky person ka një pozicion vendimmarrës.
Kjo për arsyen e thjeshtë se njeriu i papërgjegjshëm dhe ëndrrat i shikon të “papërgjegjshme” dhe nëse ky person ka një pozicion vendimmarrës atëherë zbatimi i këtyre ëndrrave në realitet ka pasoja për gjithë njerëzit.Shqipëria është europiane jo vetëm nga ana gjeografike, por edhe nga ana shpirtërore e kulturore, dhe unë me bindje të plotë gjatë gjithë punës sime në dhe për Europën kam pasur në mendje shprehjen e famshme të Paul Valéry se absolutisht europiane është gjithçka që vjen nga tre burimet: Jerusalem, Athinë e Romë.
Duke qenë se gjeografikisht Shqipëria ndodhet në rrjedhën e këtyre tre burimeve ka bërë që ajo prej këtyre prurjeve të ngopet shpirtërisht, e si pasojë edhe fryrjet dhe derdhjet në det i ka pasur europiane, ku nga të cilat sot kemi pasuri e krijimtari të shumta, pjesë të trashëgimisë kulturore kombëtare. Ashtu siç kanë përfituar edhe shtete të tjera në Europë, që dhe ato u ngopën nga këto tre prurje, e që në rrjedhën e viteve krijuan fizionomitë e tyre unikale.
Tashmë, kur të gjithë ne, përpara syve kemi një ëndërr, një ide e një qëllim, atë të anëtarësimit në familjen e përbashkët europiane, është detyrë e të gjithëve të vëmë në lëvizje shpirtin, mendjen e trupin se si këtë pasuri e trashëgimi të madhe kulturore ta vëmë në funksion të zhvillimeve të ardhshme të vendit. Nëse unë do të shtroja pyetjen se cili është roli i kulturës në procesin e integrimit europian të vendit do ti përgjigjesha se është vendimtar.E ardhmja jonë europiane nuk mund t’i lihet më rastësisë dhe ëndrrave të papërgjegjshme të të papërgjegjshmëve. Detyra jonë imediate është të mendojmë se si nga pasuria jonë kulturore të pasurojmë politikën aktuale, sesi ta frymëzojmë atë nga identiteti ynë dhe mbi të gjitha se si të krijojmë politika e strategji kulturore për t´u paraqitur si pjesë e denjë e identitetit të përbashkët, atij pluralist europian.
Imre Kertezs, fitues i çmimit Nobel për letërsi, në një shkrim mbi trashëgiminë mbresëlënëse të Europës që ma dërgoj me rastin e inaugurimit të projektit tim 100 hapa drejt Europës ndër të tjera shkruante se: “…një civilizim që vlerat e tij nuk i ka të qarta, apo vlerat e tij i lë në baltë është i destinuar të marrë rrokullimën e t’i dridhen gjunjët. Nuk do të jetë vonë kur të vijnë të tjerët që do të shpallin vlera të tjera dhe në gojën e këtyre të tjerëve ato nuk do të jenë me vlera, por pretekste e fasada për pushtet absolut dhe të shkatërrimit të pakufizuar.Arti e kultura i jep Shqipërisë, dhe jo vetëm asaj por të gjitha shteteve, identitetin e tyre, e që së bashku përbëjnë identitetin e përbashkët europian. Unë përfaqësoj këtu bindjen time të thellë që, Unioni Europian përpara se të jetë një union i fuqishëm ekonomik e politik mbi të gjitha është një union vlerash, një union social e kulturor.
Europa fillon te pragu i derës së shtëpisë tënde
Krijimi i një diplomacie kulturore e cila është e orientuar drejt të ardhmes së përbashkët europiane është një rëndësie të veçantë në këtë kohë të tranzicionit final. Ajo do të ketë si bërthamë të saj qëllimin se si ne me bindje të plotë do të krijojmë ingranazhet për transmetimin e ideve në rrugën që tashmë kemi zgjedhur për të vajtur në Europë duke u bërë kështu promotorë të një rilindjeje të re shpirtërore, rilindje kjo që për mendimin tim fillon që nga librat e shkollave; pra duke vendosur nëpër tekste jo vetëm të kaluarën e lavdishme nacionale e internacionale, që shpeshherë ka qenë e dhimbshme dhe e përgjakshme, por në to të pasqyrohet dhe e ardhmja e përbashkët dhe perspektiva europiane. Në këtë mënyrë “ideja Europë”, që për shumë nga ne është aq joshëse, të jetë e ankoruar fortë në ndërgjegjen e secilit, përpara se ai (dikush) të bëhet vendimmarrës. Nxënësve të shkollave duhet tu bëhet e qartë se nuk je vetëm tiranas, durrësak apo vlonjat por mbi të gjitha je shqiptar i kontinentit europian.
Europa nuk fillon në Bruksel apo në Strasburg: Europa fillon te pragu i derës së shtëpisë tënde do të dëgjoja unë të thoshte në një konferencë në Berlin, Hans Gert Pöttering, President i Parlamentit Europian, në një debat mbi identitetin europian. Por që rruga e zgjedhur të ketë vazhdimësi e të ardhme, është e domosdoshme të ketë dhe institucione, ashtu si dhe struktura që mendojnë në mënyrë europiane. Dhe për këtë, duhet të jemi të motivuar për idenë e Europës, të kemi një ngazëllim për vlerat e saj, e mbi të gjitha të mendojmë si europian. Vetëm në këtë mënyrë mund të prishim muret e fundit mental e ndarës, që i kemi akoma përpara në rrugën tonë për Bruksel. Ish-Presidenti gjerman, Richard von Weizsäcker, do të thoshte me të drejtë në Berlinin e bashkimit se: “…nuk është Europa brenda kufijve të mureve ajo që mund të pajtohet, por një kontinent i tërë që kufijve ua merr natyrën e tyre ndarëse.
Procesi i integrimit europian në vetvete është një proces integrimi shpirtëror, dhe në këtë mënyrë arti e kultura të cilat burimin e kanë te shpirti e te ndjenja mund të luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e imazhit pozitiv të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare pasi ajo krijon momente të kthimit të kokës dhe vëmendjes drejt saj, e në këtë mënyrë duhet të shikohet ndryshe dhe të merret seriozisht. Arritjet e mëdha individuale të artistëve shqiptarë kanë bërë e do të bëjnë që imazhi i vendit të ndryshojë në sensin pozitiv, po ashtu të jepen shembuj të një kulture tjetër të dialogut, larg atij dialogu që përdoret me politikanët.
Shqipëria mund të jap një ndihmesë të madhe në pasurimin e jetës kulturore europiane, pasi fuqia e Europës nuk qëndron vetëm te ekonomia apo te mundësia që ajo i jep dialogut të kulturave, por dhe në hapësirën e nevojshme që ato kërkojnë për t’u takuar, pastaj ta shikojnë njëra-tjetrën nga i njëjti këndvështrim. Në bërthamën e tyre këto kultura vijnë nga e njëjta origjinë, gjë që do ta konstatonte përpara 400 vjetëve edhe Voltaire, i cili do të thoshte se: …4/5 e kulturave të popujve të Europës është e njëjta gjë&#
