E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kopraci që vjen nga Kosova

Për herë të parë në Tiranë "Tartufi" i Molierit, produksioni i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Regjisori maqedonas, Rahim Burhan, sjell një koprac mysliman dhe modern. Shqipëria kthen vizitën në prill me "Alegretto Albania"


Teatri Kombëtar i Kosovës sjell në Tiranë komedinë "Tartufi" të Molierit. Pjesa shfaqet sot edhe nesër në orën 19:00 në sallën "Kadri Roshi" të Teatrit Kombëtar. "Tartufi" është e para premierë e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Shqipëri. Ka për regjisor artistin nga Maqedonia me origjinë rome, Rahim Burhan. Interpretojnë aktorët Bajrush Mjaku, Çun Lajçi, Mentor Zymberaj, Blerta Syla, Igbale Qena, Asllan Hasaj etj.
Artistët kosovarë së bashku me skenografinë e pjesës kanë mbërritur në Tiranë mbrëmjen e djeshme. Ardhja e tyre ka bllokuar gjithë aktivitetin e fundjavës në TK. Madje premiera "Filumena Marturano" nuk do të shfaqet pasi skena ka kaluar e gjitha në dispozicion të mysafirëve.
"Tartufi" u vu në skenë në Kosovë në dhjetor 2008. E reja që propozon regjisori Rahim Burhan është ndryshimi i fesë së kopracit. Në versionin e tij Harpagoni, nuk është i krishterë, por mysliman. Për ta theksuar më shumë këtë e ka veshur personazhin me ngjyrë të gjelbër.
Burhan në këtë bashkëpunim të tij me Teatrin e Kosovë sjell një tekst më të shkurtër dhe të përshtatur me kohën në të cilën jetojmë. Një gjetje kjo që sipas gazetave kosovare nuk është shumë me vend. Pjesa nuk është pritur fort mirë nga publiku dhe ka ngjallur polemika në shtyp. Gazeta "Express" do të shkruante: "Komedia klasike "Tartufi" me autorin e njohur Molier është vënë në skenë nga regjisori rom Rrahim Burhan, që mesa duket nuk i ka shkuar shumë përshtat adaptimi i kësaj komedie. Rrahim Burhan nuk ka arritur të bëjë një shfaqje të atillë, çfarë ekipi i tij dhe vetë ai kishin premtuar para se të shfaqej në një konferencë për shtyp." Më tej kjo gazetë rendit opinionet e disa regjisorëve dhe kritikëve. Për shembull regjisori dhe kritiku Jeton Budima shkruan: "Në shumë skena mungonte ritmi i roleve i kushtëzuar nga një skenografi masive dhe dykatëshe e cila kufizonte interpretimin, lëvizjen, duke zhvendosur mizanskenën vetëm në proscenium." Ndërsa agjencia e lajmeve Floart-Press komenton: "Duke e shikuar "Tartufin" e Rahim Burhanit, shikuesi ka përshtypjen se në qendër të Kosovës po shikon një pjesë teatrale që deklamohet shqip nga njerëz të Afganistanit, të Irakut ose të Turqisë apo ndoshta të duket se je në ambiente orientale të Azisë. Në fakt, ambienti nuk është as oriental e aq më pak shqiptar... Në konceptin regjisorial të Burhanit nuk i kushtohet rëndësi mesazhit esencial të vetë pjesës që është hipokrizia, por këtu fuqizohet ajo që Molieri e konsideron të dorës së dytë, martesën e sforcuar. Martesa e sforcuar, që e zhvillon regjisori Rahim Burhan në shfaqjen e tij për publikun tonë, na përngjan në Romeon dhe Xhulietën, gjë që këtu duket dështim regjisorial".
Por publiku në Tiranë mund ta shohë ndryshe veprën nga komentet e mësipërme. Prandaj gjithçka mbetet të zbulohet sot në TK.
Dy shfaqjet e "Tartufit" organizohen në kuadër të Muajit të Kulturës Shqipëri-Kosovë, që përfshin shkëmbimin kulturor mes dy vendeve. Ndërsa TK e kthen vizitën në muajin prill. Në datat 6-7 prill publiku i Prishtinës ka mundësinë të ndjekë komedinë "Alegretto Albania" të Stefan Çapalikut me regji të Altin Bashës. Një ditë më vonë, më 8 prill, komedia shfaqet në Teatrin Kombëtar në Gjakovë.
Ky shkëmbim kulturor prezantohet ndryshe në të dy vendet. Ardhja e "Tartufit" në Tiranë është prezantuar nga TK-ja si aktiviteti i radhës i Muajit të Kulturës Shqipëri- Kosovë, ndërsa në Kosovë kjo ngjarje është prezantuar si "vizita" e parë në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të firmosur mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë në janar të 2009-ës.
Trupa e Teatrit të Kosovës, pas kthimit nga Shqipëria shfaq një tjetër premierë në Kosovë. Ky teatër përkujton 10-vjetorin e bombardimeve të NATO-s me shfaqjen "Bodrumi" e cila vihet në skenë nga një ansambël artistësh nga vende të ndryshme të Evropës.
Drama është shkruar nga Ilir Gjocaj. Regjisori Fadil Hysaj ka përzgjedhur aktorët Bislim Muçaj, Sheqerie Buçaj, Vedat Haxhiislami, Muhamed Arifi, Anisa Ismaili, Artan Geca, Shpëtim Kastrati dhe Rabie Kryeziu. Drama shpreh në mënyrë autentike terrorin psikologjik dhe ankthin nëpër te cilin kanë kaluar njerëzit që nuk arritën ose nuk deshën të largohen nga Kosova, gjatë luftës.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›