E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, Berisha sulmon Ramën për Tiranën

Kryeministri i kërkon Ramës të dorëzojë Planin Rregullues të Tiranës


SHKODËR- Kryeministri Sali Berisha, ka adresuar sërish dje, nga qyteti i Shkodrës, akuza të ashpra ndaj Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Pasi përuroi rrugën "Jeronim de Rada" dhe monumentin e kulturës "Truma e dugajve të reja" në qytetin e Shkodrës, Berisha ka akuzuar Ramën se ky i fundit nuk po dorëzon Planin Urbanistik të qytetit të Tiranës. "Nga Shkodra i kërkoj në mënyrë të prerë të dorëzojë Planin e Përgjithshëm Urbanistik të kryeqytetit. Plani urbanistik nuk është pronë as plaçkë e tij, por është pronë e qytetarëve të Tiranës dhe e mbarë shqiptarëve, që kanë në Tiranë kryeqendrën e vendit",- tha Berisha. Po dje, Kryeministri zhvilloi një takim me studentë të Universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër. Duke premtuar shkollimin e mëtejshëm të tyre, Berisha theksoi është dyfishuar numri i studentëve, dhe se në një të ardhme të afërt, në Shqipëri do të ketë 150 mijë studentë. Berisha ka ftuar studentët që të votojnë për PD-në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. "Ju bëj thirrje të ecim djathtas. E mbarë është rrugë jonë, sepse e djathta është rruga e lirisë, se liria erdhi me të djathtën në Shqipëri. Rruga jonë nuk është rrugë e lehtë, ajo është rrugë e lodhshme, por është lodhja e ngjitjes. Ata që ngjiten, ata janë burra dhe gra, djem dhe vajza të fortë. Ata që ngjiten janë burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat e shpresës. Ata që ngjiten janë burrat dhe grat, djemtë dhe vajzat me qëllime. Dhe ne jemi në ngjitje. Ndërsa majtas është mbrapa. Majtas është mashtrimi",- tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›