Raporti, banorët e Gërdecit: Qeveria abuzoi me fondet
Raporti i Avokatit të Popullit, nxjerr në pah një sërë problematikash përmes ankesave që kanë ardhur nga qytetarët në raportin vjetor
TIRANË- Pretendimi i opozitës se procesi i dëmshpërblimit të të gjithë të dëmtuarve nga shpërthimi i 15 marsit në Gërdec, ka qenë abuziv dhe jo transaparent. Një fakt të tillë e evidenton edhe raporti i Avokatit të Popullit për aktivitetin gjatë vitit 2008, ku gjithë problematika që lidhet me çështjen "Gërdeci" trajtohet në një kapitull të veçantë. Kështu, Avokati i Popullit evidenton se periudha e passhpërthimit është shoqëruar me një "lum" ankesash nga qytetarët e kësaj zone, të cilët kanë denoncuar apo kërkuar ndihmën e këtij institucioni, kryesisht për vlerësimin e dëmit të shkaktuar dhe mënyrën e ndarjes së dëmshpërblimit nga ana e qeverisë dhe organeve të pushtetit vendor. Bëhet fjalë për më shumë se 40 ankesa të familjeve të dëmtuara nga shpëkthimi, të cilat kanë patur pretendime lidhur me transparencën e procesit të dëshpërblimit, për dëmet materiale dhe të shëndetit, të shumës së ndihmave dhe donacioneve të dhëna për rastin në fjalë. Në vijim, banorët kanë bërë dhe animime, që lidhen me mostransparencën e Bashkisë së Vorës në administrimin e ndihmave dhe donacioneve të ndryshme, të marrë nga persona fizikë apo juridikë privat, vendas apo të huaj. Ata kanë akuzuar drejtuesit e Bashkisë Vorë për trajtim të pabarabartë dhe shkelje të të drejtave të tyre. Për të gjitha këto shqetësime, institucioni i Avokatit bën të ditur se i është kërkuar sqarime nga Ministria e Brendshme, e cila, siç bëhet e ditur në këtë raport, ka bërë verifikimet e duhura. Ndëkohë, nisur pikërisht nga ky rast, Avokati i Popullit bën të ditur në raport se, nga hulumtimi i të gjitha të dhënave që ekzistojnë, kjo në bashkëpunim dhe me institucionet e qeverisjes vendore, është evidentuar fakti se ekziston rreziku për kërcënimin e të drejtës së jetës dhe të pronës nga aktivitete dhe depo të tilla armatimesh. Ky rast, për Avokatin e Popullit përbën shfaqjen më të hapur të dukurisë së rrezikut të jetës dhe shëndetit në punë. Gjithashtu, raporti vjetor përmban dhe një pasqyrim të detajuar pothuajse për të gjithë numrin e lartë të ankesave (2862), duke nxjerrë dhe konkluzionet përkatëse për secilën prej fushave që ato u përkasin. Raporti evidenton faktin se, edhe pse shteti njeh dhe respekton lirinë e fesë, gjatë vitit që lamë pas nuk kanë munguar rastet e cenimit të lirisë së shprehjes së besimit. Avokati trajton në këtë raport edhe problemin që ekziston dhe që ka të bëjë me të drejtat e personave me orientime të ndryshme seksuale. Një çështje tjetër që trajtohet nga raporti dhe që, sipas avokatit përbën një problem mjaft serioz, ka të bëjë me dhunën në familje ndaj grave, fëmijëve dhe vajzave. Ky institucion konstaton faktin se dhuna në familje ka gjasa që të jetë në nivelet edhe më të larta, për shkak se shumë prej të dhunuarave kanë frikë të denoncojnë. Vetëm për vitin 2008, Avokati ka marrë 20 ankesa për konfliktin në familje, ku shpeshherë viktimat kanë qenë femra. Duke u ndalur tek ankesat që kanë qytetarët sipas institucioneve, Avokati bën të ditur se vendin e parë e zënë ato që kanë ardhur në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë dhe kryesisht për Drejtorinë e Burgjeve. Ka patur 322 ankesa nga të burgosur, ku vendin e parë e zënë ankimimet për trajtim dhe kushte jo normale për burgun e Peqinit dhe atë të Ali Demit. Një problematikë e madhe duket se ekziston edhe në Zyrën e Përmbarimit Gjyqësor, kryesisht për moszbatim të vendimeve gjyqësore. E njëjta situatë paraqitet edhe në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive, për të cilat janë paraqitur 117 ankimime. Situatë shqetësuese rezulton të jetë edhe në Ministrinë e Brendshme, për të cilën gjatë vitit që lamë pas, janë bërë 635 ankesa, ku 410 janë për organet e pushtetit vendor. Avokati konstaton se Policia e Shtetit, pavarësisht arritjeve, vazhdon të ketë në radhët e saj elementë të pakulturuar dhe të panjohur me ligjin, duke cenuar jo pak herë liritë dhe të drejtat e shtetasve. Gjatë këtij viti, për të cilin është hartuar raporti, janë paraqitur 34 ankesa për torturë dhe keqtrajtime të shtetasve nga Policia e Shtetit, një tregues ky regresiv për zbatimin e ligjit nga këto struktura, pasi numri i ankesave ka një rritje me 11 për qind më shumë se një vit më parë.
Fejzi Braushi