Korabi, misioni “Superiore” vazhdon

Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategoria e Parë, ka dhënë të hënën edhe verdiktin e fundit të sezonit, teksa është zhvilluar beteja finale e “play-off”-it, që ka përcaktuar edhe skuadrën që do të sfidojë ekipin që do të renditet në vendin e 8-të të Kategorisë Superiore. Dhe kjo skuadër është Korabi, që ka mundur 3-2 Apoloninë, në ndeshjen e luajtur në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH Sport. Në fakt, sfida ka nisur menjëherë me gol, pasi Geci i ka kaluar dibranët në epërsi që në minutën e parë.
Por Krasniqi ka barazuar shifrat për fierakët vetëm 4 minuta më vonë. Në barazim 1-1 do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa në ato të dytat është sërish Korabi që rigjen epërsinë në të 64-tën, me anë të Mziut.
Marku do t’i qetësojë disi dibranët në minutën e 79-të, teksa do të gjejë edhe golin e 3-të të Korabit.
Një gol që merr më tepër vlerë vetëm dy minuta më pas, kur skuadra dibrane do të mbetet me 10 lojtarë, pasi Duka merr kartonin e dytë të verdhë dhe del nga loja me karton të kuq. Në Minutën e 5 shtesë, Apolonia do të gjejë edhe golin e dytë, me anë të Diopit.
Por është shumë pak dhe shumë vonë për fierakët, pasi Korabi fiton 3-2 dhe mban gjallë ëndrrën “Superiore”.