Liga e Argjendtë, kuqezinjtë start ndaj Rumanisë

Kombëtarja e rrjetës për meshkuj, e cila drejtohet nga Jani Melka, tanimë i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e parë në Ligën e Argjendtë, ndërsa të martën në ora 19:00 në sallën olimpike “Feti Borova” do të presë Rumaninë. Një kundërshtar që kuqezinjtë e njohin, sepse e kanë patur përballë dhe në kualifikueset e Kampionatit Europian vitin e kaluar pikërisht në maj 2021. Melka tregon për RTSH Sport se si është përgatitur kjo kombëtare për këtë përballje të parë në Ligën e Argjendtë, atje ku kthehet pas katër vitesh mungesë.
“Menjëherë pas kampionatit shqiptar, për të cilin dua të them fjalët më të mira, ishte besoj më i miri i viteve të fundit, u munduam të grumbullojmë nga ekipet e para si dhe nga jashtë Shqipërisë. Në këto dy javë besoj se është bërë një përgatitje serioze, Federata na dha mundësinë dhe bëmë dy ndeshje miqësore me Maqedoninë e Veriut. Ajo që doli nga këto dy ndeshje është pozitive, me këtë frymë, sidomos të ndeshjes së dytë, do futemi dhe në ndeshjen me Rumaninë”.
Në grup Shqipëria do të ketë për kundërshtar edhe Bosnje-Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut. Ja cilat janë pretendimet e kuqezinjve në këtë grup në Ligën e Argjendtë, që do të shkojë deri më 12 qershor.
“Gjithmonë dëshira jonë është që të bëjmë atë hapin që na ka munguar. Me këtë qëllim do futemi dhe në këtë veprimtari. Nuk është e lehtë, por dikur duhet ta bëjmë, është një brez i mirë, kam besim. Janë gjashtë ndeshje, jemi përgatitur, qëllimi është që të bëjmë më të mirën”.
Shqipëria pret të martën Rumaninë. Të shtunën do të jetë në transfertën boshnjake. Më 1 qershor në transfertën maqedonase. Më pas më 4 qershor do të presë Maqedoninë e Veriut. Më 8 qershor Bosnje-Hercegovinën dhe më 12 qershor e mbyll në transfertë me Rumaninë. E shpresohet që paraqitja e kuqezinjve të jetë mbresëlënëse dhe rezultative.