Korça, destinacioni i turistëve elitarë – Muzeu i Artit Mesjetar, ndër më të vizituarit nga studiues dhe kërkues shkencorë

Turistët që zgjedhin të vizitojnë qytetin e Korçës shpesh janë pjesë e një audience elitare, të përbërë nga pedagogë, studiues dhe historianë që kanë një njohje të qartë mbi kulturën dhe trashëgiminë që ofron kjo zonë.
Drejtoresha e Muzeut të Artit Mesjetar, Fjoralba Prifti, thotë se vizitorët nuk janë asnjëherë rastësorë, pasi muzeu mbart një fond të pasur ikonash dhe objektesh të periudhës bizantine dhe postbizantine, që tërheqin adhurues të artit dhe historisë.
“…kryesisht janë të huaj ata që vizitojnë Muzeun e Artit Mesjetar dhe janë njerëz që kanë dijeni për përmbajtjen e muzeut”, tha ajo.
Prifti shton se muzeu ka qenë gjithashtu objekt interesimi për kërkues dhe studiues të fushës shkencore.
“Kemi dhe shumë bashkëpunime me universitete dhe studiues shkencor të cilët hulumtojnë mbi trashëgimininë kulturore, ikonografisë apo dhe artit bizantin“, tha ajo.
Korça, me muzetë e saj, arkitekturën unike dhe trashëgiminë kulturore, mbetet një nga destinacionet më tërheqëse për vizitorët vendas e të huaj.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/