E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, ekzekutohet me 7 plumba pogradecari, dyshohet për hakmarrje

Avni Hoxha ka qenë i dënuar për vrasje para viteve '90
Ekzekutohet me 7 plumba në kokë një i papunë nga Pogradeci. Vrasja e tipit mafioz ka ndodhur në mes të Korçës, kurse autorët kanë qenë të pamaskuar dhe pa makinë. Vrasësit dyshohet të kenë ndjekur viktimën prej disa kohësh, duke mbajtur nën kontroll të plotë lëvizjet e tij, teksa kanë realizuar krimin disa metra larg shtëpisë së të bijës që jetonte me qira. Banorët e lagjes ku ka ndodhur vrasja janë tmerruar, ndërsa viktima ka mbetur i vdekur në vend nga plumbat e shumtë që ka marrë në turp. Ndërkaq, policia ka grumbulluar disa prova të rëndësishme shkencore që pritet të çojnë drejt identifikimit të autorëve të mbushur plot mistere. Ekzekutimi me 7 plumba, i një 54- vjeçari në qytetin e Korçës është krimi i dytë i ndodhur gjatë këtij viti në këtë qytet. Duke iu referuar të dhënave të policisë lokale, vrasja e tipit mafioz është regjistruar rreth orës 15:00 në lagjen 2 të qytetit të Korçës, ndërsa vrasësit dyshohet të kenë qenë dy persona, që i kanë zënë pritë 54- vjeçarit nga Pogradeci disa metra larg shtëpisë së të bijës.
Atentati
Avni Hoxha, banor i qytetit të Pogradecit ka udhëtuar drejt Korçës pa e ditur për të fundit herë, duke transportuar vajzën e tij të martuar në shtëpinë e saj. Kjo e fundit, prej disa kohësh kishte marrë një shtëpi me qira në lagjen 2, aty ku ka ndodhur dhe krimi i vrasjes. Pasi ka lënë vajzën para shtëpisë, Hoxha nuk ka hyrë brenda në shtëpi, por është larguar fill, duke pretenduar se do të takonte dikë në Korçë. Në momentin  kur ka marrë një kthesë vetëm 100 metra larg shtëpisë së vajzës, dy persona që i kishin zënë pritë e kanë qëlluar më armë duke e lënë të vdekur në vend. Banorët e lagjes kanë pohuar për policinë se kanë dëgjuar të shtëna, ndërsa ajo që duket se është më e çuditshme është se pse një dyqan që ndodhej vetëm 1 metër larg vendit të krimit, ka qenë i mbyllur në kohën e ekzekutimit të pogradecarit, kur ai qëndron i hapur në çdo moment. Autorët, që dyshohet të jenë dy persona, kanë qenë në këmbë ndërsa e kanë qëlluar plot 7 herë duke lënë në vendin e ngjarjes dhe 7 gëzhoja, të cilat do të analizohen në laborator për të mësuar se nga çfarë arme zjarri kanë dalë. 54- vjeçari, banor i fshatit Starovë në rrethin e Pogradecit ka marrë shumicën e plumbave në kokë, duke mbetur i vdekur në vend. Ai udhëtonte me mjetin e tij tip golf me targa PG 2383 B kur është qëlluar për vdekje, ndërsa makina ka humbur kontrollin kur ai është qëlluar duke u përplasur pas një muri. Gjithsesi policia dyshon se disa dëshmitarë okularë kanë parë ngjarjen, ndërsa rruga ku ka ndodhur ekzekutimi është boshatisur e gjitha nga terrori që kanë pësuar banorët e saj të llahtarisur. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ndërkohë që nuk ka një të dhënë për autorët e këtij krimi. Nuk dihet se kush ishin këmbësorët që vranë pogradecarin, por dyshohet nga hetimet paraprake që ata i ka pritur një makinë në një tjetër rrugë të lagjes në fjalë. Policia e Korçës është duke hetuar për disa pista, ku kryesorja është ajo e hakmarrjes. Sipas burimeve të saj, Avni Hoxha dyshohet të jetë vrarë për disa konflikte të hershme të tij. Pista kryesore është ajo e hakmarrjes, por nuk përjashtohet dhe implikimi i mundshëm i tij në një trafik droge. Duke iu referuar të njëjtave burimeve zyrtare të policisë, nuk përjashtohet mundësia e implikimit të viktimës edhe në afera të tjera të dyshimta, ndërsa viktima ka qenë i dënuar para viteve 90 për vrasje. Gjithsesi, policia shkencore ka marrë mjetin për ta ekzaminuar imtësisht atë dhe për ta parë nëse ka shenja në të ose jo. Por duket se disa prova të rëndësishme shkencore që mendohet t' iu kenë ranë vrasësve do të jenë ato që do të çojnë drejt identifikimit të autorëve të këtij krimi të rëndë që ka mbërthyer Korçën nga ankthi.  

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›