Këshillimi i Karrierës, lëndë e re për gjimnazistët
Këshillimi i Karrierës, nisi të funksionojë një vit më parë, si mënyrë orientuese për maturantët në zgjedhjen e degës së arsimit të lartë, vitin e ardhshëm shkollor do të kthehet në një lëndë të veçantë për nxënësit e arsimit të mesëm.
Përfshirja e Këshillimit të Karrierës, si një lëndë tre- vjeçare për nxënësit në kurrikulën shkollore të arsimit të mesëm është një propozim që edhe pse është akoma në fazë diskutimi dhe konsolidimit, shihet si një vendim që do të merret së shpejti, tha Ndriçim Mehmeti, Drejtori i Kurrikulës në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Si një lëndë e re, Këshillimi i Karrierës do të ketë më shumë karakter këshillues dhe orientues për nxënësit e shkollave të mesme, në mënyrë që ata të zgjedhin dhe të planifikojnë sipas preferencave dhe aftësive të tyre degën e studimit në universitet. Lëndë e re të përfshihet në kurrikulën do të ndahet në dy pjesë: aftësi për sipërmarrje dhe aftësi për të jetuar. Lënda do të jetë pjesë e programit mësimor, duke nisur nga viti i parë i shkollës së mesme dhe do të diktojë detyrime për nxënësit si të gjitha lëndët e tjera, tha Mehmeti, duke shtuar se Këshillimi i Karrierës si lëndë shkollore do të japë rezultatet konkrete dhe efiçente në zgjedhjen e profesionit të nxënësve kur ata të mbarojnë arsimin e mësëm. Objektivi i kësaj nisme është që nxënësit e shkollave të mesme publike dhe jopublike, para provimeve të Maturës dhe para se të zgjedhin mes shumë fakulteteve në vend, të kenë një informacion të plotë për degët që ata do të zgjedhin për të studiuar. Për të garantuar një mbarëvajtje sa më të mirë të procesit të Këshillimit të Karrierës, do të ketë një bashkërendim të veprimtarive të parashikuara në plan-program mes shkollave të larta, Drejtorisë së Politikave të Arsimit të Lartë (DPAL) dhe Drejtorisë së Kurrikulave (DK). Shkollat e Larta, në bashkëpunim me DPAL dhe DK, kanë detyrë që të informojmë më mirë maturantët për ofertat e Arsimit të Lartë, për shanset që kanë në një degë të caktuar studimi, për perspektivën e karrierës së tyre që u ofrohet në rastet e ndryshme. Ky bashkëpunim do të përfshijë gjerësisht të gjitha Universitetet Publike si edhe Universitetet Private, për të garantuar një hapësirë sa më të gjerë të plotësimit të interesave të nxënësve maturantë. Maturantët do të informohen nga fakultetet për vlefshmërinë e diplomës së tyre, hapësirën që ajo ka në tregun e punës, familjarizimin me jetën studentore, si dhe kushtet e mësimdhënies që ofrohen.
Email This Klikime: 1
Email This Klikime: 1