E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cila do të jetë e ardhmja e Televizionit Publik?

Nga Ivana TOMÇO
Të pajisura me një fuqi të madhe historike, mediat sot i janë nënshtruar transformimeve të mëdha, përmes një procesi përqendrimi në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Grupe të ndryshme ekonomike po marrin rëndësi të madhe në një treg në zhvillim të mëtejshëm, falë shfaqjes së teknologjive të reja. Në fakt, mediat sigurojnë tashmë, jo vetëm rolin tradicional të anti- pushtetit në politikë, por me internetin, ato kanë hapur një hapësirë të vërtetë kontrolli demokratik, duke i lënë një vend të rëndësishëm individëve- krijues të përmbajtjeve. Atëherë, duke marrë në konsideratë të gjitha këto transformime, a mund të themi se po marrim pjesë në një proces demokratizimi të mediave? Duke qenë se problematika e mediave është e lidhur ngushtë me çështjen e rolit të shtetit si rregullator, dhe duke qenë se tendenca është për ç' angazhim të shtetit në përfitim të rregullimit privat të tregut, mjaft pyetje mund të shtrohen: Cila është e ardhmja që mund të imagjinojmë për Televizionin Publik? Si do të respektohet pluralizmi politik në një kontekst vërshimi të grupeve mediatikë? Kontributet mbi median duhet të bazohen: në thellimin e demokracisë, në ndryshimet në tregun e mediave dhe në shfaqjen e kufijve të rinj të lidhur me teknologjitë e reja. Interneti ka lindur nga nevoja për të komunikuar më lehtë me njeri-tjetrin, më me shpejtësi dhe me më pak shpenzime. Pra, ai përbën një vend debati dhe lejon, me anë të postës elektronike dhe shtimit të forumeve, të konfrontojmë pikëpamjet dhe të shkëmbejmë opinione. Interneti kontribuon me një informim më të mirë të qytetarëve dhe një transparencë më të madhe të veprimtarive publike psh: shpërndarja e informacioneve në fushën administrative, shpërndarja e programeve të partive politike etj. Ai favorizon një ndërveprim më të madh midis drejtuesve dhe popullit. Postat elektronike lejojnë t'i njohësh të zgjedhurit me aspiratat dhe reagimet e njerëzve. Por, ndërkohë mund ta imagjinojmë internetin edhe si mjet ndihmues në procesin legjislativ në parlament, me anë të forumeve të hapur. Pra, me disa aspekte, interneti favorizon veprimet kolektive, duke bërë që individë të izoluar, që ndodhen larg njeri-tjetrit, por që ndajnë të njëjtat ide, të hyjnë në kontakt me njeri-tjetrin dhe të mobilizohen. Nga ana tjetër, interneti mund të paraqesë gjithashtu edhe rrezik për disa arsye: Përdorimi  tij ende i  rezervohet një elite, një numri të vogël të popullsisë. Ai kërkon një nivel të lartë të ardhurash dhe nivel formimi të shkallës së lartë. Gjithsesi, qeveritë, prodhuesit dhe shpërndarësit e kompjuterave, po tentojnë vazhdimisht për ta zgjeruar publikun dhe tregun e tyre. Interneti mund të jetë gjithashtu mbështetës i veprimeve apo ideve që janë në kundërshtim  me themelet e demokracisë. Ka sajte që propagandojnë ide raciste, apo mënyra që ndihmojnë të njohësh opinionet politike të qytetarëve përmes konsultimit jo të ligjshëm te sajteve të tyre. Ndërkohë, interneti favorizon mobilizimin e qytetarëve të të gjitha llojeve për çështje të rëndësishme, pa ndërmjetësinë e institucioneve dhe organizatave politike: peticionet. forumet e diskutimit në linjë (chat), thirrjet për manifestim. Interneti mund të plotësojë demokracinë përfaqësuese duke korrigjuar mangësitë e saj me një dimension më pjesëmarrës, por pa ndryshuar themelet. Mund të përfytyronim psh: vota elektronike, tashmë të testuara në vende të ndryshëm. Por, duhet pasur kujdes me iluzionin që mund të krijohet: sigurimi  i hapësirave të lira për qytetarët nuk do të sillte modifikimin e strukturave të pushtetit. Përsa i përket mondializimit, nëse interneti mund të duket sikur zvogëlon efektet, ai është një nga vektorët kryesorë. Si përfundim, nuk duhet që interneti të jetë një media pa kontroll demokratik. Ai pikërisht për faktin që kapërcen kufijtë, duhet të pësojë kontroll të gjithanshëm. Juridiksionet kombëtare duhet të imponojnë verdiktin e tyre, ndërsa zgjedhësit, të ndjekin ritmin e zhvillimeve teknologjike. Interneti është dhe do të jetë një media komunikimi, krijimi dhe shpërndarjeje, i pavarur nga përmbajtjet televizive. Këto të fundit do të jenë gjithnjë të lidhura me kërkimin e financimeve, kultin e personalitetit, pushtetit dhe institucionalizimin. Interneti, në format e tij të shumta, bën gjithnjë e më shumë të mundur të shpërthejnë e të gjejnë terren, forca shprehëse dhe krijuese që janë ende të panjohura. Kjo mund të jetë me përfitim në nivel lokal, por edhe në nivel ndërkombëtar. Ajo mund ti shërbejë së ardhmes, inovacionit, që jo gjithnjë i ka mjetet e nevojshme për të realizuar qëllimin e tij. Si përfundim, Televizioni është dhe do të mbetet diçka që do ta shohim në darkë në shtëpi, ulur në kolltuk, ndërsa krijimi dhe komunikimi nëpërmjet internetit, janë diçka tërësisht e integruar në botën e punës, shkencës, edukimit, dhe mund të ecin përpara duke mbështetur këto aktivitete të domosdoshme. Ajo që duhet të kuptojmë të gjithë, është kjo: Interneti nuk do ta përjashtojë Televizionin. Por, kur bëhet fjalë për fatet e demokracisë, duhet ta kemi të qartë se Interneti mund të shërbejë në duart tona, pa pasur nevojë të presë bekimin e pushteteve. Ai mund të luajë një rol shumë të madh për të nxitur dhe rritur qytetarinë dhe demokracinë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›