Korçë, mungesa e certifikatave pezullon punën në gjendjen civile
Mungesa e certifikatave ka pezulluar punën në gjendjen civile të Korçës. Mungesa e tyre prej dy javësh ka shkaktuar një kaos të vërtetë në këtë qytet të Shqipërisë, bashkia e të cilit edhe pse është përpjekur të marrë certifikata hua nga njësitë vendore fqinjë, nuk ka mundur të eleminojë dot pezullimin e punës së gjendjes civile. Prej dy ditësh gjendja civile e bashkisë juglindore nuk funksionon. Me dhjetëra qytetarë qëndrojnë në radhë, teksa nga ana tjetër punonjëset e gjendjes civile nuk mund tiu shërbejnë përveçse në raste emergjente.
Edhe certifikatat tashmë janë bërë me mik, ato shpërndahen në këtë zonë vetëm për një pjesë të caktuar njerëzisht dhe vetëm për raste emergjente. Mungesa e tyre ka ndalur edhe aplikimin për letërnjoftimet elektronike, i cili është një ndër dokumentet e rëndësishme për tu pajisur me kartën e identitetit. Por, edhe pse shqetësimet e anëtarëve të bashkisë së Korçës janë bërë prezente, ende asnjë masë nuk është ndërmarrë për kalimin e kësaj situate kaotike. Numri i certifikatave që bashkia e qytetit juglindor ka marrë hua nga njësitë vendore fqinjë është tejet i vogël, ndërsa ato përdoren kryesisht për raste vdekjesh, apo dhe emergjenca të tjera të ngjashme. Përsa iu përket emigrantëve, që vijnë për të aplikuar për kartën e identitetit ata skanë mundësi të përfundojnë këtë proces, ndërsa kërkesat gjatë ditëve të fundit janë shtuar së tepërmi duke krijuar njëherësh dhe radhë të gjata që mbeten të pandryshuara përgjatë orarit zyrtar. Situata duket kaotike, teksa asnjë sinjal pozitiv nuk vjen nga institucionet shtetërore përkatëse që bëjnë furnizimin me certifikata në gjendjen civile në fjalë. Bashkia e qytetit nëpërmjet numrit dy të saj Arjan Bejko ka nisur disa shkresa të njëpasnjëshme pranë Ministrisë së Brendshme dhe konkretisht Drejtorisë së Gjendjeve Civile për furnizimin me certifikata, por nga këto institucione nuk ka asnjë përgjigje qoftë dhe negative. Qytetarët presin në radhë pa e ditur se përsa ditë do tiu duhet të mbarojnë punë, ndërsa numri i tyre shtohet shumë më tepër. Ankesat e qytetarëve janë të shumta, ndërsa të gjithë për arsye që nuk varen në këtë rast as nga bashkia e qytetit, ju duhet të presin për disa ditë deri në marrjen e një certifikate që e kanë shumë të nevojshme. Burime të bashkisë së Korçës bëjnë të ditur për gazetën se vështirësia për certifikata ka rreth dy javë që ka nisur, ndërsa dhe ato pak rezerva që ishin siguruar nga marrja borxh e këtij dokumenti në disa komuna fqinjë kanë përfunduar. Kështu së fundmi bashkia ka marrë hua certifikata nga komuna Mollaj, ndërkohë që dhe ky fond i siguruar ka mbaruar dhe numri i certifikatave ka përfunduar. Një numër shumë i vogël bëjnë të ditura të njëjtat burime janë për raste tejet të veçanta. Në kushte normale punonjëset e gjendjes civile të bashkisë shpërndajnë rreth 300 certifikata, ndërkohë që në ditë piku kur ka emigrantë dhe studentë numri i tyre i kalon të 750 copë. Ky shërbim iu është mohuar qytetarëve, ndërsa kjo pengon edhe në procesin e aplikimit për kartat e identitetit ku pa këtë dokument nuk mund të mbarosh punë.