Korçë, mungon uji i pijshëm, banorët 3 muaj pa ujë
Prej 3 muajsh, banorët e 4 fshatrave në Korcë vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Shkak i mungesës së ujit të pijshëm, sipas vetë përfaqësuesve të komunës Pojan është bërë vera e nxehtë dhe pa rreshje shiu, e cila ka shkaktuar dhe tharjen e tre puseve që furnizojnë Ujësjellësin e fshatrave me ujë.
Në këto kushte katër fshatrat e kësaj komune, Pojani, Ormani, Zvezda dhe Shëngjergji nuk kanë ujë të pijshëm. Më shumë se 3000 banorë kërkojnë zgjidhje të këtij problemi. Eduard Manelli, nënkryetar i komunës Pojan bën të ditur shqetësimin, ndërsa sipas tij është duke u punuar që të gjendet një zgjidhje.
Por nga ana tjetër, gjatë këtij viti do të ketë investim në drejtim të Ujësjellësit për të mos lenë pa ujë të pijshëm banorët e katër fshatrave. Tharja e puseve nuk kishte ndodhur prej më shumë se 3 dekadash, ndërsa gjendja vijon të jetë e vështirë, teksa banorët përpiqen të gjejnë zgjidhje individuale me hapje pusesh apo dhe mënyra të tjera për të patur ujë në shtëpitë e tyre.