E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, në komunat me bazë socialiste mbetet në fuqi kuponi 1200 lekësh

Banorët e komunës Mollaj ankohen për vendimin e pazbatuar të qeverisë
Njësitë vendore në juglindje nuk zbatojnë vendimin për karta e identitetit. Çmimi vazhdon të jete ende me 1200 lekë, ndërsa qytetarët ankohen për këtë mashtrim që po bëhet në kurriz të tyre. Rasti më tipik në Korçë është komuna Mollaj ku vazhdohen të priten kuponë 1200 lekësh, kur vendimi i qeverisë e ka përcaktuar qartë se çmimi për ata që nuk kanë pasaporta është vetëm 200 lekë. Më shumë se 20 banorë të fshatit Lubonjë në rrethin e Korçës janë përballur gjatë ditës së djeshme me pritje të gjata para postës dhe zyrave të komunës Mollaj, ku duhet të kryejnë dhe aplikimin për kartat e identitetit. Banorët e kësaj zone që iu duhet të udhëtojnë rreth 20 kilometra për të mbërritur në qendrën e përcaktuar nga shteti për kartat, por nuk gjejnë shërbimin e kërkuar teksa përballen me sportelet. Shkak i kësaj gjendjeje është mungesa e kuponëve 200 lekësh, të cilët nuk janë vënë në përdorim për të interesuarit, ndërkohë që banorët e fshatit të sipërpërmendur shkojnë më tej duke akuzuar administratën e komunës Mollaj, e cila sipas tyre i jep kuponët për njerëzit që ajo dëshiron, duke mbajtur peng me qindra aplikantë të tjerë. Ndonëse kanë qëndruar për më shumë se 5 orë para zyrave të komunës Mollaj, banorët e fshatit Lubonjë në rrethin e Korçës janë kthyer në shtëpitë e tyre pa kryer aplikimin, megjithëse e kanë patur emrin në listën e atyre që nuk janë pajisur më parë me pasaportë. Edmond Bregu, 40 vjeç thotë për gazetën se gjithçka bëhet qëllimisht, ndërsa atij dhe bashkëfshatarëve të tij nuk iu jepen kuponët 200 lekësh sipas vendimit të qeverisë për qëllime që ai nuk i kupton. Madje Bregu shkon më tej duke thënë se kjo sjellje mund të lidhet edhe me faktin se ai ka bindje të tjera me ato të drejtuesve të kësaj komune të djathtë, ndaj dhe sorollatet për të mos i lejuar pajisjen me kartë identiteti. Kështu, mbi 20 banorët e Lubonjës megjithëse kanë protestuar për mospajisjen me kuponin për kartën e identitetit sipas vendimit të qeverisë, janë kthyer në shtëpitë e tyre duarbosh, ndërsa do iu duhet sërish të përshkruajnë 20 kilometra deri në momentin që punonjësit e postës por dhe administrata e komunës Mollaj ti pajisë me kuponin me çmimin e ri. Fenomeni që ka përfshirë ditët e fundit komunat që qeverisen nga të majtët në juglindje është gati i njëjtë tek të gjitha. Në të gjitha këto njësi vendore nuk kanë mbërritur ende kuponët e rinj me vlerën 200 lekë, por vazhdojnë të jenë vetë ato me 1200 lekë. Ndërkaq, kjo situatë e re ka nxitur në pezullimin e këtij procesi pasi dhe vetë të interesuarit nuk aplikojnë me çmimin e kripur për ta dhe mundësitë e tyre ekonomike. Kështu në komunat e Lozhanit, Moglicës, Vithkuqi etj., nuk kanë mbërritur ende kuponët e rinj, ndërsa banorët e këtyre zonave vazhdojnë të presin deri në mbërritjen  e tyre për të kryer aplikimin. Nga ana tjetër, interesi i tyre ka rënë dhe për arsye se zyrat postare përkatëse nuk janë furnizuar ende me këto kuponë për ti dhënë mundësi atyre që e kanë emrin në lista dhe që nuk janë pajisur me pasaportë të aplikojnë për tu pajisur me kartë identiteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›