Ngjyrat e Pogradecit, ekspozohen në Berat
Në Galerinë e Arteve Edward Lear në qytetin e Beratit është hapur ekspozita personale e piktorit Vangjo Vasali. Në mjediset e kësaj galerie arti janë ekspozuar 41 tablo të artistit pogradecar, i cili tashmë është i njohur për krijimtarinë e tij në pikturë. Shtrati i krijimtarisë së tij është i paracaktuar, dhe i pashmangshëm, Pogradeci. Poetika e qytetit, magjia e liqenit, delikatesa e dëborës, misteri i natyrës, janë qerthulli në të cilën enden subjektet e veprave. Veprat e Vasilit janë befasuese me një emocion të ngadalshëm por të thellë. Është një fuqi artistike që të përfshin dhe të sugjeron inspirim.
Gjejmë në të një vizion të qetësisë, paqes dhe të sugjestionit të natyrës dhënë me një teknikë të veçantë, ndjeshmëri koloristike dhe një dritë të plotë, por gjithsesi delikate. Kjo ekspozitë ka bërë që të krijohet një situatë e veçantë artistike plot emocion në sallat e Galerisë Edward Lear. Piktori Vangjo Vasili ka lindur në vitin 1951 në Pogradec dhe është diplomuar në Institutin e Arteve në Tiranë (sot akademia e Arteve). Është nga të radhët e brezit të piktoreve shqiptarë të formuar para viteve 90 që suksesshëm ndërtoi me konseguencë e me një sens të theksuar bashkëkohor një krijimtari tërësisht individuale rezultat i një kërkimi të gjatë profesional e intelektual. Ekspozita e hapur në datën 6 maj do të qëndrojë e hapur për publikun deri në datën 14 maj. Galeria Edward Lear është një galeri e re e krijuar ne vitin 1994, si pjese e traditës, si nevojë e përmasave që mori krijimtaria artistike e arteve figurative dhe rëndësia e emrave të artistëve beratas pas viteve 90. Artistët; Arben Golemi, Aleksandër Filipi, Agron Polovina, Kastriot Dervishi, Nexhmedin Musaj e Gazmend Muka me Ekspozita1 në 17 maj dhe Ekspozita 2 ne 26 korrik 1993 ishin dhe themeluesit e saj. Galeria e Arteve Edward Lear ka një koleksion prej 121 vepra të gjinive, teknikave e drejtimeve artistike të ndryshme të 65 artistëve, shqiptarë e të huaj që përbën fondin e saj. Në këtë fond gjenden punime të artistëve të njohur, si dhe një koleksion të vogël me punime të periudhës para viteve´90. Gjithashtu në koleksionin e fondit ka vepra të disa autorëve nga Gjermania, Austria, Anglia, Polonia, Kroacia, Hungaria, Kanadaja, Kosova e Maqedonia. Galeria e Arteve Edward Lear ka një programim në bazë projektesh, të çmimeve, ekspozitave dhe aktiviteteve që lidhen me to. Në projektet e saj janë konkurset e tradicionale: Çmimin Edward Lear për artistët profesioniste, Çmimin Kolor për fëmijët deri në moshën 14 vjeç dhe Çmimin Hapësirë për artistet e rinj deri në moshën 26 vjeç. Por krahas tyre edhe ekspozita vetjake e të përbashkëta të artistëve më të njohur, të artistëve të rinj apo dhe të huaj.